Vllaznia ndëshkohet në limite, Teuta befason shkodranët në minutën 98

Futboll

Vllaznia ndëshkohet në limite, Teuta befason shkodranët në minutën 98

Më: 17 prill 2022 Në ora: 20:46
Ilustrim

Teuta dhe Vllaznia e kanë mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen në Niko Dovana, me shkodranët të cilët ishin në udhëheqje të sfidës në pjesën më të madhe të kohës.

Mirëpo, në minutën e 98’ mbrojtësi Ivanovic ndëshkoi kuqeblutë që tashmë nuk fitojnë në kampionat prej gjashtë ndeshjesh radhazi. Nga ana tjetër, Teuta merr një pikë të rëndësishme duke parë si shkoi ndeshja, megjithatë kampionët në fuqi të Superiores rrezikojnë të përfundojnë në Play-Out, pasi aktualisht janë vetëm dy pikë sipër Egnatias, ndërsa nga ana tjetër kuqeblutë janë në vendin e pestë, katër pikë larg Kukësit të vendit të tretë. Ndërkaq, ndeshja pati shumë emocione, ndërsa nuk mungoi përfshirja e VAR në dy raste.

Sa i takon pjesës së parë, Vllaznia u shfaq më kërkuese me rastin e parë që u regjistrua në minutën e tetë kur Aralica godet me kokë, por nuk gjen kuadratin e Qirkos i cili ndër të tjera kishte gabuar në daljen e tij, ndërsa sërish kroati ka mundësi të artë, por këtë herë Qirko është i saktë dhe e ndal sulmuesin e shkodranëve. Në vazhdim, Teuta kundërpërgjigjet me L.Vilën, por sulmuesi gjithsesi ishte në pozicion jashtë loje, ndërkohë që në minutën e 36-të, Hebaj nuk devijon në rrjetë një top të Jazxhi. Në ekstremin e pjesës së parë, sërish L.Vila kishte një mundësi flagrante, mirëpo në fund sulmuesi gaboi dhe e dërgoi topin shumë larg kuadratit.

Në fraksionin e dytë, Vllaznia pretendon për një penallti mirëpo arbitri Bastari fillimisht ndal lojën për një pozicion jashtë loje të Adilit. Por, pas ndërhyrjes së VAR akordohet penalltia, të cilën në minutën e 60-të e kthen në gol Liridon Latifi. Në të 83-tën, Teuta ka një shans të artë për të barazuar, por porta e Zogovic mbetet e paprekur. Sakaq, disa minuta më pas janë durrsakët që pretendojnë për një penallti pas një faulli ndaj Jazxhi.

Arbitri Bastari akordon goditje dënimi jashtë zone, ndërsa VAR ndërhyn. Por, Bastari i qëndron vendimit të parë dhe akordon vetëm faull jashtë zone. Një minutë më pas, Heric kërkon të përfitojë nga porta e boshatisur pas daljes së Qirkos, megjithatë nuk ka koordinatat e duhura. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e Vllaznisë, Teuta gjeti golin e barazimit me anë të mbrojtësit Ivanovic, ndërkohë që më pas nuk pati kohë për të ndryshuar fatet e takimit.

Kronika e ndeshjes:
90+9′ Mbyllet në barazim 1-1 ndeshja në Niko Dovana mes Teutës dhe Vllaznisë

90+8′ Goooool! Barazon Teuta, Ivanovic nuk fal përballë Ivanovic

90′ Heric sheh portën e boshatisur pas daljes së Qirkos dhe provon nga distanca e largët, por mesfushori nuk ka saktësinë e duhur

88′ VAR ndërhyn sërish këtë herë për një faull ndaj Jazxhi, megjithatë arbitri Bastari konfirmon vendimin fillestar, faull jashtë zone

83′ Shans i artë për Teutën, por sërish durrsakët nuk realizojnë
73′ E.Vila provon me kokë teksa është në zonën e Vllaznisë, por topi nuk ka forcën e duhur dhe kontrollohet pa problem nga ana e Zogovic

66′ Pasiguri e portierit Qirko, megjithatë topi përfundon në goditje këndi

60′ Gooooool! Vllaznia kalon në avantazh, Latifi shënon nga pika e bardhë

55′ Arbitri Bastari pret për verifikimin e pozicionit jashtë loje të Adilit, ndërkohë konfirmohet. Penallti për Vllazninë

54′ Vllaznia pretendon për një penallti, por arbitri Bastari ndalon lojën për një pozicion të pavlefshëm të Adilit

53′ Sërish Aralica ka një mundësi, por kroati fiton vetëm një goditje këndi

45+1′ Mbyllet pjesa e parë në Niko Dovana, Teuta dhe Vllaznia kanë raste por nuk shënojnë

45+1′ L.Vila shpërdoron një rast flagrant, teksa i vetëm përballë Zogovic e dërgon topin shumë larg kuadratit

36′ Teuta i afrohet golit të avantazhit me Jazxhi i cili fiton dyluftimin me kokë, me Hebajn që më pas nuk arrin ta devijojë sferën në rrjetë

34′ Zëvendësim i detyruar për trajnerin Renato Arapi, Hyka largohet pas problemeve fizike. Në vendin e tij ativizohet Acquah

31′ Vllaznia shfaqet sërish në zonën e Teutës dhe i shkon pranë golit të avantazhit. Ante Aralica ka shansin pas një pasimi të Latifit, por ndalet nga Qirko

25′ L.Vila niset i vetëm në drejtim të Zogovic, mirëpo sulmuesi anësor ndalet nga Gurishta në fund, por mbi të gjitha aksioni është vlerësuar i pavlefshëm për një pozicion jashtë loje

17′ Shans për kundërsulm te Vllaznia, por shkodranët nuk e përmbyllin me sukses aksionit ndërsa në fund Aralica shkakton faull ndaj E.Vilës

8′ Rasti i parë i ndeshjes i takon Vllaznisë me Aralicën, kroati godet me kokë, por nuk gjen kuadratin e durrsakëve me portierin Qirko që gjithashtu kishte gabuar në dalje

1′ Nis ndeshja në Durrës, Teuta pret Vllazninë

Formacionet zyrtare:

Teuta (4-2-3-1): Qirko, Jazxhi, Ivanovic, Kotobelli, Todorovski, Aleksi, Beqja, L. Vila, E. Vila, Hyka, Hebaj

Trajner: Renato Arapi

Vllaznia: Zogovic, Gurishta, Adili, Krymi, Latifi, Jonuzi, Djurdjevic, Kruja, Hakaj, Hoxhaj, Aralica

Trajner: Elvis Plori

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat