Nëse Milani fiton titullin...

Futboll

Nëse Milani fiton titullin...

Më: 8 maj 2022 Në ora: 11:58
Nëse Milani fiton titullin...

Në fund të fundit, rëndësi ka rezultati. Nëse Milani fiton titullin, do të kujtojmë Zhirunë dhe Leaon, por edhe Ibrën.

Nuk duhet harruar Tonali që shënoi në shtesë kundër Lacios dhe pritjet e Menjasë. Megjithatë, ka një fakt kurioz për luftën e kampionatit të kuqezinjve: për momentin Pioli ka sulmin e pestë të kampionatit me 61 gola të shënuar.

Përpara kuqezinjve janë Atalanta (62), Napoli (67), Lacio (70) dhe Interi (74). Në dhjetë daljet e fundit të djemve të Piolit kanë ardhur vetëm 11 gola.

Zikaltrit dhe bardhekaltrit shënuan nga 18, djemtë e Spaletit 21. Gati dyfish. Sidoqoftë “Djalli” është aty përballë të gjithëve dhe ka dy pikë përpara Inzagit, mbi të gjitha falë një mbrojtjeje të hekurt dhe një super Menjaje që ka pësuar 4 gola në 10 ndeshjet e fundit.

Çështje soliditeti, edhe pse ndoshta në sulm nuk po shkëlqejnë. Kuqezinjtë, ndër të tjera, mund të bëhen skuadra me më pak gola që kanë fituar një titull që kur Seria A u kthye me 20 ekipe (2004-’05). Kanë mbetur edhe tri ndeshje, janë 61 gola. Dhe rekordi i përket Milanit.

TITULL UNIK – Sezonit 2010-’11, Alegri në pankinë dhe Ibra në vijën e parë. Sedorf me shokë bëhen kampionë të Italisë duke shënuar 65 gola.

Njësoj si Udineze e katërta atë kampionat dhe katër më pak se Interi i vendit të dytë. Edhe sot e kësaj dite ajo ecuri është më e ulëta ndonjëherë (përsëri në lidhje me turnetë me 20 ekipe që nga 2004-’05).

Natyrshëm lind pyetja nëse duhet shënuar vërtet më shumë? Shembull: sezonin vijues Milani do të përfundonte i dyti me sulmin më të mirë të ligës, 74 gola, pas Juventusit të Kontes që kishte gëzuar 68 herë.

Rezultati: katër pikë përpara dhe një titull i fituar nga bardhezinjtë.

VITET ’50 – Sa për kuriozitet mund të shtojmë se Milani gjithashtu ka një tjetër rekord. Si kampion i Italisë, është skuadra që ka shënuar më shumë gola, në terma të përgjithshëm, në një kampionat me njëzet ekipe.

Duhet të kthehemi shtatëdhjetë vjet pas, sezoni 1950-’51, Nordahl golashënuesi më i mirë me 34 gola, Liedholm në mes me Grenin.

Treshja historike Gre-No-Li regjistronte tituj dhe trofe që i bënte fëmijët e asaj epoke të ëndërronin. Milani para Interit me 107 gola në 38 ndeshje. Njësoj si zikaltrit, të cilët kaluan vetëm me një pikë diferencë.

Kohët e fundit, duke llogaritur ende në kampionatet me 20 ekipe, Juventusi i 102 pikëve arriti në 80 gola.

Sulmues ishin Tevez dhe Jorente. Shifra e fundit: Milani, kampion i Italisë në 2003-’04, shënoi 65 gola.

Kampionati ishte me 18 ekipe. Përballë tij Juve dhe Roma me respektivisht 67 dhe 68 realizime. Siç shihet, e rëndësishme është të fitosh titullin. Gjithmonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat