Pioli: Na pret edhe një javë plot pasion

Futboll

Pioli: Na pret edhe një javë plot pasion

Më: 15 maj 2022 Në ora: 22:59
Pioli: Na pret edhe një javë plot pasion

Stefano Pioli festoi gjatë me lojtarët e tij dhe tifozët e Milanit fitoren 2-0 ndaj Atalantës. Rafael Leao dhe Theo Hernandez shënuan golat në pjesën e dytë, teksa kuqezinjve i mjafton një pikë në sfidën e fundit ndaj Sassuolos për t’u rikthyer te titulli pas 11 vitesh.

Trajneri i Milanit foli pas ndeshjes, duke vlerësuar lojën e ekipit të tij, teksa zbuloi se i karikoi lojtarët me videon e Kobe Bryant, legjendës së NBA, i cili ishte një tifoz i zjarrtë i Milanit.

“Vit emocionues, por puna jonë nuk ka mbaruar, duhet të kalojmë një tjetër javë plot qetësi dhe vendosmëri. Jam shumë i kënaqur me ndeshjen, punuam shumë mirë në mbrojtje kundër skuadrës së krijon më së shumti në Serie A.

Më pas kërkuam shumë zgjidhje të ndryshme përpara, pa humbur asnjëherë qartësinë dhe pa u ndalur kurrë së besuari. Kjo fitore është një shpërblim për të gjithë lojtarët e mi. Disponueshmëria e djemve është ajo që më bën krenar më shumë se gjithçka tjetër.

Tani na pret një tjetër javë plot pasion, ndoshta do të bëjmë diçka ndryshe. Ndeshjet e mëparshme na kanë bindur që kemi kualitet për të fituar. Kemi shumë cilësi dhe disa defekte, por mbi të gjitha përpiqemi të nxjerrim në pah cilësitë tona.

Djemtë janë të qetë, të vëmendshëm dhe të vendosur, i shoh çdo ditë të buzëqeshur. Sigurisht që tifozët na karikuan me pritjen e tyre. Djemve u tregova një video të Bryant, i cili insistonte se asgjë nuk ishte vendosur në NBA, edhe pse kryesonte 2-0 finalet. Të njëjtën gjë duhet të mendojmë edhe ne”, përfundoi Pioli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat