Italia ka ende gjasa

Futboll

Italia ka ende gjasa

Më: 17 maj 2022 Në ora: 18:30
Italia ka ende gjasa

Sipas ish-anëtarit të komitetit “CONI”, Franco Chimenti, Italia ka ende një shans për të luajtur në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Kampioni në fuqi evropian nuk arriti të kualifikohet për në Botëror, pasi pësoi humbje 1:0 nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinalen e “Play-Off”-it.

Megjithatë, Franco Chimenti, presidenti aktual i Federatës së Golfit të Italisë dhe një ish-anëtar i komitetit CONI, sheh një shans konkret që “Azzurrët” të jenë në Katar.

Kjo mundësi sipas tij ekziston pasi Kombëtarja e Ekuadorit mund të përjashtohet.

“Ka ende një shans për të parë Italinë në Kupën e Botës dhe është më konkrete se sa mendojnë njerëzit”, tha ai për “GR Parlamento”.

“Me sa duket, Ekuadori ka përdorur një lojtar që nuk u lejua të ishte në fushë dhe mund ta paguajë për këtë. Nëse ndodh, një vend tjetër duhet t’i zëvendësojë dhe rregullat e FIFA-s thonë se vendi më i lartë në renditjen e FIFA-s duhet të jetë. Për momentin është Italia”, shtoi Chimenti.

Javën e kaluar, FIFA njoftoi se po shqyrton akuzat e bëra nga Federata e Futbollit e Kilit se Ekuadori falsifikoi dokumentet e lojtarit, Byron Castillo.

Castillo luajti tetë ndeshje gjatë kualifikimeve, duke përfshirë dy ndeshjet kundër Kilit, me këta të fundit që nuk siguruan pjesëmarrjen për në Botërorin e këtij viti, dhe Ekuadori mori katër pikë kundër “La Roja”.

Sipas “La Repubblica”, FIFA mund të marrë dy vendime të ndryshme. Ekuadori mund të humbasë pikët e fituara nga ndeshjet në të cilat u shfaq Castillo, duke lejuar Kilin të përfundojë më lart në grupin kualifikues.

Megjithatë, opsioni tjetër është përjashtimi i Ekuadorit dhe dhënia e të drejtës së kalimit për një ekip tjetër. Në këtë rast, Italia do të kishte një shans, pasi që është më së larti në renditjen e FIFA-s për momentin.

Një opsion i tillë ishte mohuar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, por italianët duket se tani po synojnë për të shfrytëzuar këtë situatë.

Kjo situatë do të qartësohet pasi shtëpia më e madhe e futbollit të marrë vendimin përfundimtar për rastin e Kombëtare së Ekuadorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat