Presidenti i UEFA-s analizon finalen e Championsit

Futboll

Presidenti i UEFA-s analizon finalen e Championsit

Më: 18 maj 2022 Në ora: 17:36
Presidenti i UEFA-s analizon finalen e Championsit

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka komentuar finalen e Ligës së Kampioneve mes Liverpulit dhe Realit të Madridit në Paris më 28 maj.

Për shkak të statusit të tij, ai refuzon që të zgjedhë një skuadër favorite, edhe pse anon pak më shumë nga anglezët. Në lidhje me mënyrën se si spanjollët kanë mbërritur deri në finale, slloveni thotë se ka ngelur pak i surprizuzar, veçanërisht me përmbysjen dramatike ndaj Mançester Sitit, por thotë se skuadra e Karlo Ançelotit është si një mace me 9 jetë:

“Në gjysmëfinale unë dyshoja që Reali do ta eliminonte Mançester Sitin, veçanërisht pas humbjes së ndeshjes së parë. Por me sa duket ata kanë 9 jetë si macet. Ata janë një skuadër me eksperiencë. Për mendimin tim çalojnë në mbrojtje, të cilën e kanë të dobët”.

Pastaj vjen një vlerësim special për Karim Benzemanë dhe Luka Modriçin: “Ata kanë mrekullibërësin Karim Benzema, për të cilin unë e kam thënë shumë herë se mendoj që është një prej lojtarëve më të nënvlerësuar në historinë e futbollit. Ndërsa Luka Modriç me kalimin e moshës bëhet më i mirë”.

Megjithatë, Ceferin shikon skuadrën e Klopit që ka diçka më tepër:

“Por Liverpuli ka lojtarë më të rinj dhe kanë eksperiencë shumë të rëndësishme në finale. Unë nuk do të guxoja të parashikoja një fitues për shkak të keqkuptimeve që do të sillte, por do të jetë një finale shumë interesante”.

ASNJË KOMPLOT

Duke përfituar nga rasti, kreu i qeverisë europiane të futbollit u lëshoi edhe një tjetër shigjetë klubeve organizatore të Superligës Europiane, të cilat janë prezente në dy finalet e Champions-it, Reali i Madridit te meshkujt dhe Barcelona te femrat. Prezenca e tyre, sipas tij, konfirmon pastërtinë e garës në UEFA.

“Unë nuk kam probleme me Realin e Madridit sigurisht, pavarësisht se nuk kam kontakte me drejtuesit e klubit në këtë moment. Por vendi i Realit në finalen e Champions-it është provë se sa të pastra janë kompeticionet e UEFA-s.

Reali i Madridit dhe Barcelona janë në finalet e meshkujve dhe femrave. Asnjë nuk ka ndërhyrë, përndryshe…”, komentoi Ceferin për portalin slloven “24ur.com”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat