Motivon Interin

Futboll

Motivon Interin

Më: 18 maj 2022 Në ora: 23:02
Masimo Morati

Matematika e lejon të shpresojë dhe Interi nuk ka ndër mend të heqë dorë nga ëndrra titull.

Këtë kanë pohuar në kor të gjithë protagonistët e skuadrës së Inzagit, të cilët pavarësisht se nuk e kanë në dorë fatin e sezonit të tyre, duhet të fitojnë të dielën ndaj Sampdorias dhe të shpresojnë në një hap fals të Milanit.

Për të stimuluar edhe më zikaltrit, ka menduar Masimo Morati, për të cilin asgjë nuk është e pamundur.

“Është e vështirë, duhet ta pranoj, por në futboll çdo gjë është e mundur dhe mrekullitë mund të ndodhin gjithmonë”, e ka nisur fjalën e tij ish-presidenti i milanezëve që kërkon t’ia transmetojë shpresën e tij ekipit, pavarësisht se e di se rivalët janë të fortë.

“Milani dhe Interi janë skuadra shumë të forta, kanë bërë të dyja një kampionat shumë të bukur dhe tani kemi edhe një javë për të shijuar nga ky sezon”, ka vazhduar 77- vjeçari që është bazuar te precedentët e së shkuarës për t’i dhënë zemër ish-klubit. “Unë besoj se ne kemi mundësitë tona për titullin dhe pavarësisht sa banale ju duket, përsëris që çdo gjë është e mundur.

Ajo që duket e sigurt, mund të përmbyset në një moment dhe nuk kanë qenë të pakta herët kur ka ndodhur. Edhe pse shumicën e kohës gjërat shkojnë mirë për ata që janë në krye, për sa kohë nuk kanë munguar rastet kur jo favoritët fitojnë, mund të shpresojmë. Çdo gjë ndodh, ndoshta bie aq shi si në Peruxha në vitin 2000 kur Juve humbi titullin, ose mbase u ndodh dhe atyre ajo që na ndodhi ne më 5 maj.

Kush e di, mbase e diela e 22 majit ajo ndeshje me Sasuolon bëhet 5 maji i Milanit…”, përfundoi Masimo Morati, ish-presidenti historik, që edhe një herë tjetër u shfaq në versionin ultras të zikaltërve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat