Josa: Vllaznia nuk është Latifi

Futboll

Josa: Vllaznia nuk është Latifi

Më: 20 maj 2022 Në ora: 12:09
Josa: Vllaznia nuk është Latifi

Në javën e parafundit të Abissnet Superiore, që do të luhet këtë të shtunë në orën 17:00, Vllaznia do të ndeshet me Egnatian në “Loro Boriçi”, ku do të kërkojë tri pikët për të siguruar sa më shpejt një vend në Europë.

Kjo përballje do të jetë dhe takimi ku trajneri Mirel Josa do të debutojë në krye të skuadrës shkodrane.

Josa beson se ndaj rrogozhinasve do të merret rezultat pozitiv, duke qenë se tashmë skuadra e Zekirija Ramadanit është duke u përgatitu dhe është më shumë e fokusuar për takimin e play-out, që do të vulosë edhe fatin e Egnatias për sezonin e ardhshëm, qëndrimin në Superiore apo rrëzimin në Kategorinë e Parë.

Josa ka folur edhe për skuadrën “kuqeblu” për të cilën ka thënë se më shumë se individi, i intereson fryma e grupit, duke iu referuar këtu Latifit.

Ndeshja me Egnatian: “Ndeshja me Egnatian është e vështirë, për më tepër që ndaj kësaj skuadre Vllaznia nuk ka fituar asnjëherë gjatë sezonit. Ajo është duke menduar për ndeshjen e play-out, por për ta përgatitur atë ndeshje duhet të jetë e fokusuar dhe prandaj besoj se do të vijë të luajë lirshëm në Shkodër.”

Vllaznia: “Unë e kam parë skuadrën e Vllaznisë gjatë këtyre ditëve, mendoj se do të ndryshojmë disa gjëra dhe këto ndryshime nuk janë thjesht tek emrat, por edhe mënyra si do të luajmë. Ne do të bëjmë punën tonë për të kërkuar dy fitore në dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe për të shpresuar deri në fund për sigurimin e një vendi që na çon në Europë.”

Liridon Latifi: “Vllaznia nuk është Latifi, ajo ka 20 e ca lojtarë. Latifi ka cilësi të mira që unë i njoh. Unë shoh grupin. Kam parë Latifin, Da Silvën, Aralicën e të tjerë. Mua nuk më intereson individi, por grupi, por kuptohet që duam t’i kemi secilin prej këtyre lojtarëve në lartësinë e duhur për t’i shërbyer skuadrës.”

Tifozët: “Nuk kam mesazh për tifozët, Shkodra ka tifozerinë që e njeh më mirë se çdo tifozeri tjetër futbollin nga ana profesionale. Shpresojmë t’ja bëjmë atyre pasditen e nesërme të këndshme me një rezultat pozitiv.”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat