Finalja e Conference League, Tomorri: Futbolli, ambasadori më i mirë i Shqipërisë!

Futboll

Finalja e Conference League, Tomorri: Futbolli, ambasadori më i mirë i Shqipërisë!

Më: 20 maj 2022 Në ora: 12:27
Finalja e Conference League, Tomorri: Futbolli, ambasadori më i mirë i Shqipërisë!

Prej më shumë se disa javësh, e gjithë bota e futbollit ka kthyer sytë nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ku më 25 maj do të luhet finalja e Conference League në stadiumin “Air Albania”. Por a është gati Tirana për të pritur këtë finale dhe çfarë ka ndryshuar këto ditë, cilat janë pengesat dhe çfarë impakti pritet të ketë kjo sfidë Roma-Feyenoord?

Në një intervistë për Neës 24, drejtuesi i këtij projekti, Kejdi Tomorri zbulon detajet e fundit nga eventi, që nga numri i tifozëve që pritet të vijnë në kryeqytet, te siguria dhe ndryshimet e fundit në stadium. Tomorri u shpreh i bindur se impakti i kësaj finaleje është shumë i madh ndërsa pritet të ketë ndikim jo vetëm në ekonomi, ndërsa tregoi edhe se sa ka fituar FSHF nga kjo finale.

Interes dhe skepticizëm për finalen – Interesimi është shumë i madh sepse skuadrat finaliste kanë shumë vite pa ardhur në këtë fazë. Ndërsa skepticizmi ka të bëjë edhe me kapacitetet që ka Tirana në vetvete. Nuk po flas vetëm për stadiumin, pasi e dimë kapacitetin e tij, por ka të bëjë me pjesën e aeroportit dhe mobilitetit. Nuk kemi një transport publik nga aeroporti në Tiranë dhe duke konsideruar që në ditën e finales mund të kemi 9 ose 10 mijë persona që do të aksesojnë finalen nga aeroporti.

Numri i tifozëve që pritet të mbërrijnë dhe organizimi nga UEFA – Duke pasur parasysh që për finalen 10 mijë persona presupozohet që do të vijnë me charter dhe pjesa tjetër që do të jetë goxha e konsiderueshme. Një pjesë do të vijë me rrugë tokësore dhe nga Roma kemi informacione që do të vijnë me traget. Mendoj që do të ketë shumë tifozë, për më tepër që do të ketë edhe tifozë që do të vijnë një ose dy ditë para finales. Nga informacionet që kemi, në total pritet 70 deri në 80 mijë tifozë deri tani. 15-20 mijë janë nga Holanda dhe diku 50-55 mijë nga Italia. UEFA nuk është asnjëherë e papërgatitur në këto situata, i ka të gjithë skenarët dhe ajo konsideron çdo finale të njëjtë. Masat merren njëlloj si ato të Champions League dhe Europa League dhe niveli i organizimit është gjithmonë i njëjtë, pavarësisht vendit dhe kompeticionit. Vetëm nga UEFA, janë 120 persona të angazhuar për këtë finale, pa përfshirë këtu pjesën televizive ose të gjitha operacionet e tjera.

Siguria e ndeshjes- Kemi pasur shumë takime me policinë që kanë qenë goxha të mira. Personat e UEFA-s për security janë goxha të kënaqur me të skemën e ndërtuar nga policia ose edhe me përgjigjen që policia mund të ketë në çdo moment krize ose në çdo moment përplasje të grupimeve të tifozëve me njëri-tjetrin. Organizimi është shumë i mirë dhe nuk mund të hymë dot në stadium. Personat të cilët duhet të aksesojnë në stadium duhet të kalojnë kordonet e policisë që janë të vendosur nga 300-500 metra larg. Ka shumë kohë pastaj që të vijnë prej andej në stadium.

Zgjerimi i tribunës së medias – Sa i përket pjesës së medias, jashtë kemi pjesën e broadcast-it, ku do të jenë të gjithë kamionët e transmetimit dhe nga ana tjetër do të kemi edhe një pjesë tjetër që do të vijë shtesë. Është zënë edhe një pjesë e sheshit “Nënë Tereza”, duke qenë që kërkesa është shumë e madhe. Pra, nuk flitet për një kërkesë siç janë ndeshjet e ekipit tonë kombëtar, paçka se mund të kemi luajtur edhe kundër Anglisë apo skuadrave të mëdha që media ka një ze shumë të rëndësishëm, por këtu flasim për një finale, që normalisht është më e rëndësishme.

Biletat e shitura nga ndeshja – Nga shqiptarët janë blerë rreth 6000 bileta, që do të jenë edhe në tribunën përballë, por edhe në pjesët pas portave. Në dy kornerat e stadiumit, do të jenë tifozeritë respektive. Nga ana jugore do të jetë Roma dhe nga ana veriore Feyenoord.

Pastaj, pjesa shqiptare do të jetë një pjesë në qendër të stadiumit dhe një pjesë pas portave. Por në fakt, është një gjë e mirë që shqiptarët kanë blerë bileta dhe që do të jenë në stadium, pasi nga ana tjetër, shërbejnë edhe si një filtër sigurie midis tifozerive të dy palëve.

Çfarë rëndësie ka kjo finale për të ardhmen? – Shpresoj dhe besoj se kjo provë do kalojë me sukses sepse shoh organizimin. Për të ardhmen patjetër që do ketë rëndësi shumë të madhe sepse mendoj që ambasadori më i mirë për Shqipërinë është futbolli.

Duke u futur që te pjesa e kualifikimit në Europian të Shqipërisë që jemi bërë shumë më të njohur në shumë shtete dhe shumë më tepër turistë kanë ardhur, por edhe tani. Shpresoj që të gjithë këta njerëz që do të vijnë, do të vijnë të paktën për një herë të dytë në Shqipëri.

Sa fiton FSHF nga kjo finale? – FSHF dhe stadiumi fitojnë 0. Çfarë ishte e rëndësishme për FSHF-në, ishte të mundësohej një finale e tillë në Shqipëri dhe kur është bërë kërkesa fillestare në UEFA, buxheti i Shqipërisë ishte më i ulëti dhe nga një anë, mezi u pranua nga UEFA, pasi thanë, si ka mundësi që me këtë buxhet do të bëjnë këto gjëra.

Nga ana tjetër, FSHF po financon vetë, pasi kjo është një e mirë madhore që ka të bëjë me Shqipërinë. Ndërsa në terma të parave që do të harxhohen në Shqipëri, në bazë të një studimi ekspertësh, vlera që do harxhohet është deri në 140 milionë euro. Këtu nuk përfshihen vetëm njerëzit që do vijnë në momentin e parë, por përfshihet edhe një përqindje x që do të vijë më mbrapa. Përpos kësaj, edhe të drejtat televizive që janë goxha të mëdha. Ky është një buxhet total i eventit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat