​Mungesa e stafit mjekësor, fenomen shqetësues në klubet e Superligës së Kosovës

Futboll

​Mungesa e stafit mjekësor, fenomen shqetësues në klubet e Superligës së Kosovës

Më: 21 maj 2022 Në ora: 16:14
​Mungesa e stafit mjekësor, fenomen shqetësues në klubet e Superligës së Kosovës

Mungesa e një stafi adekuat mjekësor që do të kujdesej për shëndetin e lojtarëve gjatë ndeshjeve zyrtare si dhe gjatë seancave stërvitore është një fenomen shqetësues që po i përcjellë shumicën e klubeve të Superligës së Kosovës në futboll.

Në mungesë të një mjeku të përgjithshëm, klubet funksionojnë kryesisht me vetëm një fizioterapeut i cili ka për detyrë të vlerësojë vetëm gjendjen fizike apo muskulore të lojtarëve.

Në klubin e futbollit Drenica, i pranishëm në stërvitje është gjithmonë fizioterapeuti Muharrem Bekteshi, por jo edhe mjeku i përgjithshëm. Megjithatë, Bekteshi thotë për KosovaPress se ekziston një konsultim në baza të rregullta me mjekun e përgjithshëm nga i cili merr këshilla për menaxhimin e lëndimeve.

Bekteshi: Mjeku i përgjithshëm nuk është gjithmonë i pranishëm në stërvitje

Ne si staf mjekësor e kemi këtu një mjek të përgjithshëm dhe jam unë fizioterapeut i klubit ku mjeku i përgjithshëm zakonisht merret me anën fiziologjike të lojtarëve ndërsa unë më anën fizike të lojtarëve, ku pastaj në koordinim më atë e bëjmë një raport ku mund të vlerësojmë se lojtari a është i gatshëm apo jo për ndeshje apo stërvitje. Normal ai nuk është çdo ditë në stërvitje mirëpo jemi në kontakt të vazhdueshëm me të ku marr këshilla prej tij për fushën e tij specialistike që e ka këtu në klub edhe bashkërisht koordinohemi për mënyrën se si duhet t’i menaxhojmë lëndimet apo ankesat e lojtarëve”, theksoi Bekteshi.

Ai shton se problemet shëndetësore që iu shfaqen lojtarëve gjatë ndeshjeve janë ta paparashikueshme dhe se ato ndodhin edhe në vendet që e kanë mjekësinë shumë të zhvilluar, por që mund të parandalohen dhe minimizohen me anë të kontrolleve sa më të shpeshta mjekësore

Bekteshi: Problemet shëndetësore të lojtarëve në fushë janë të pararashikueshme

Ne jemi të vetëdijshëm se jo vetëm në Kosovë por edhe në të gjithë botën ku është aktiviteti futbollistik kemi probleme të ndryshme të lojtarëve të cilët jo vetëm kërkojnë menaxhimin tonë si fizioterapeut apo mjek i përgjithshëm mirëpo kërkojnë një diagram të gjerë veprimesh. Është do të thotë një komplet specialistësh në mënyrë që ta vlerësojmë sa më saktë gjendjen fizike dhe fiziologjike të lojtarëve. Normal ne bëjmë kontrollet mjekësore zakonisht para fillimit të kampionatit dhe nëse lojtari ka ankesa të ndryshme të cilat mund të paraqiten si serioze te ne, i adresojmë pastaj tek specialistët e caktuar ku ata e vlerësojnë. Mirëpo kjo është e paparashikueshme, do të thotë edhe në Evropë ku është jashtëzakonisht e zhvilluar mjekësia sportive këto gjëra nuk mund të ndalohen, mirëpo mund të kontrollohen ose minimizohen rastet e tilla”, tha Bekteshi.

Situatë e ngjashme është edhe te klubi i futbollit Dukagjini. Në mungesë të një mjeku të përgjithshëm, është fizioterapeuti Florian Veselaj i cili është gjithmonë pranë skuadrës. Ai thotë se para çdo ndeshje, të gjithë lojtarët i nënshtrohen një kontrolli për të parë nëse janë të gatshëm fizikisht dhe nëse hasin në ndonjë problem, ata vazhdojnë tutje me ekzaminime të tjera mjekësore.

Veselaj: Lojtarët i kontrollojmë para fillimit të çdo ndeshje

Gjatë fillimit të ndeshjes, paraprakisht ne e kontrollojmë secilin lojtar dhe në momentin që lojtari ka probleme fizike ose probleme të tjera ne e ekzaminojmë, e shohim dhe marrim masa. Nëse lojtari nuk është në gjendje gjatë lojës ta vazhdojë lojën ose të jetë prezentë në lojë, e informojmë trajnerin, marrim masa dhe vazhdojmë me procedura të tjera”, tha Veselaj.

Në klubin e futbollit Drita gjërat funksionojnë më ndryshe. Klubi nga Gjilani ka të angazhuar në baza të përhershme edhe doktorin e skuadrës i cili nuk mungon në asnjë seancë stërvitore dhe ndeshje zyrtare.

Doktori Bujar Fazliu thotë se tash e tetë vite është pjesë e skuadrës dhe se janë ta pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për reagim të shpejtë në rastet kur lojtarët shfaqin problem shëndetësore.

Fazliu: Kemi pajisjet elementare për intervenim të shpejtë

Unë jam që tetë vite te Drita. Zakonisht jam pothuajse çdoherë prezent në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Zakonisht i trajtojmë problemet e ndryshme qoftë lëndime, qoftë ankesa të ndryshme, grip, ftohje e kështu me radhë… Nëse ndodhë gjatë ndeshje, do të thotë nëse i ndodhë ndonjë futbollisti, ne kemi elemente këtu të nevojshme, që janë të domosdoshme për shpëtimin e jetës, dhënien e ndihmës së parë. Pastaj me pjesën tjetër merret ambulanca e cila gjendet në stadium, do të thotë emergjenca, ata merren me pjesën tjetër”, tha Fazliu.

Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi duke folur për KosovaPress, iu bën thirrje drejtuesve të klubeve që krahas shpenzimit të milionave në infrastrukturë dhe përforcime të ekipit, t’i kushtohet vëmendje edhe anës shëndetësore.

Zymberi: Është për keqardhje që në ndeshje zyrtare ka mungesë të mjekëve

Drita prej shumë vitesh, gjithmonë në stafin e vet ka pasur doktor të përgjithshëm dhe fizioterapeut që kanë qenë vazhdimisht të angazhuar me klubin, pa diskutim në ndeshje zyrtare por edhe gjatë seancave stërvitore, gjë që shumica e klubeve në Kosovë, me sa kam informacion dyshoj shumë që i kanë në seancat stërvitore… Por, ajo çfarë është shumë për keqardhje është fakti që edhe në ndeshje zyrtare, në shumicën e ndeshjeve zyrtare, apo në shumicën e klubeve, është vetëm ambulanca, për shkak të kriterit, është prezent me një shofer dhe nuk ka, as infermier apo as doktor, të cilët në ndonjë rast më të ndërlikuar duhet të jenë prezent dhe të reagojnë andaj mendoj që kjo çështje është mirë që të trajtohet mirë dhe të jetë një temë shumë serioze dhe ta marrin shumë seriozisht klubet karshi investimeve milionëshe të cilat i bëjnë klubet”, ka thënë Zymberi.

Për të kuptuar nëse ekziston një rregull rigoroz që i detyron klubet të kenë të angazhuar një staf adekuat mjekësor, KosovaPress ka provuar të kontaktojë edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës, por ata kanë qenë të pa qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat