Titulli mbush arkat e klubeve

Futboll

Titulli mbush arkat e klubeve

Më: 22 maj 2022 Në ora: 12:21
Titulli mbush arkat e klubeve

Sipas “Corriere della Sera”, shpallja kampion për njërën mes Milanit dhe Interit mund të vlejë deri në 80 milionë euro.

Në këtë shifër përfshihet çmimi i vendit të parë në Serinë A, pjesëmarrja në Superkupën e Italisë dhe sidomos faza e grupeve të Champions-it.

Duke hyrë më në thellësi të këtyre përfitimeve, diferenca mes vendit të parë dhe të dytë në kampionatin italian ndahet nga 5 milionë euro. Fituesi shpërblehet me 33.4 milionë euro, ndërsa vendi i dytë me 25.

Finalja e Superkupës që vendos përballë kampionët me fituesit e Kupës kombëtare, vlen 5 milionë euro për triumfuesin, shkruan Panorama Sport. 

Duke iu rikthyer fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve, përfaqëson minierën e arit për çdo klub, ndaj përfshirja në turne si kokë e grupit, garanton deri në 50 milionë euro.

PËRFITIME ZIKALTËR – Pra, duke bërë llogaritë, fitorja e titullit ndoshta nuk ndryshon jetën e një klubi, por me siguri orienton merkaton e sezonit të ri.

Mes merkatos, abonimeve, sponsorëve dhe akordeve tregtare, mbyllja e sezonit në vendin e parë bën shumë dallim krahasuar me një mbërritje në finish si i dytë.

Për Interin, në rast trofeu, do të ishte i njëzeti. Sinjal i qartë i rritjes dhe mënyrës për të hedhur një hap përpara në aspektin e investimeve.

Nuk duhet harruar se vetë drejtuesit zikaltër kanë përmendur prej kohësh që merkatoja duhet të mbyllet me një plus prej 60 milionë eurosh.

Pa titull, klubi zikaltër duhet të shesë njërin, në mos dy, prej Skriniarit, Bastonit, Barelës dhe Lautaros.

NË XHEPAT E “DJALLIT” – Situata financiare e Milanit është disi më komode. Klubi duhet të mbyllë sezonin me një rritje të të ardhurave në masën 40 për qind.

Në rast titulli kjo shifër mund të dyfishohet çka do të lehtësonte akordin me lojtarë të rinj, por edhe rinovimet me realitete solide si Leao të cilit do t’i garantohej pa problem rroga prej 6 milionë eurosh në vit që kërkon.

Me titullin e qëndisur në fanellë, Milani do të hynte në Champions si kokë grupi.

Përfitimin financiar e përmendëm, ndërkohë që edhe aspekti sportiv nuk është për t’u nënvlerësuar pasi kuqezinjtë do të viheshin përballë ekipeve, teorikisht, më të lehta.

Një trofe e bën klubin më joshës për shumë lojtarë, por edhe për blerësin potencial pasi prej kohësh përflitet shitja e Milanit.

Nuk do të ishte çudi që vlera e klubit të ndryshojë nga e diela në të hënë, ndërkohë që me entuziazmin e duhur mund të mos mjaftonte një stadium 60 mijë vendësh si ai që planifikojnë milanezët.

PARASHUTA FINANCIARE – Lega e Serisë A parashikon shpërblime edhe për skuadrat që lënë elitën. Xhenoa, Venezia dhe një mes Kaljarit dhe Salernitanës do të përfitojë të ashtuquajturën “parashutë financiare”.

25 mln euro do t’i përfitojë ekipi që bie pasi ka luajtur të paktën tri sezone nga katër të fundit. 15 milionë euro ekipi që bie pasi ka luajtur të paktën 2 sezone nga tri të fundit, ndërsa 10 milionë ekipi që ka rënë në vitin e parë të rikthimit në elitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat