Mediat italiane ngrenë alarmin për dhunën para finales në Tiranë

Futboll

Mediat italiane ngrenë alarmin për dhunën para finales në Tiranë

Më: 25 maj 2022 Në ora: 11:37
Mediat italiane ngrenë alarmin për dhunën para finales në Tiranë

Prestigjiozja italiane “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar vëmendje të veçantë dhe shprehet e shqetësuar mbi dhunën e tifozërive në Tiranë: “Me kalimin e orëve, situata e rendit publik në Tiranë është bërë dramatike, ku finalja e Konferencës së Ligës është planifikuar për mbrëmjen e sotme. Sipas burimeve policore në kryeqytetin shqiptar, të plagosurit janë pesëmbëdhjetë, dymbëdhjetë policë shqiptarë dhe tre tifozë. Dy italianë kanë pësuar lëndime në kokë dhe në fytyrë. Një nga policët e lënduar cilësohet në kushte serioze për jetën.

Për t’u shqetësuar, teprimet e tifozëve të Feyenoord-it, të cilët falë birrave të shumta, fillimisht u bënë protagonistë të përplasjeve në veri të qytetit, në fund të të cilave dy të rinj shqiptarë u plagosën në kokë. Njëri seriozisht, i goditur nga një karrige.

Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën. Policia e Tiranës ka bërë të ditur, me anë të një njoftimi, se është rritur numri i tifozëve të ndaluar të Romës dhe Feyenoord-it. Nga këta persona të shoqëruar në komisariat, 48 janë me kombësi italiane (në këtë numër përfshihen edhe ata që ndodheshin në autobusin ku u gjetën sende të ndaluara, kryesisht armë të ftohta) dhe 12 holandezë.

Përleshje raportohen në zona të ndryshme të qendrës dhe policia lokale po përpiqet të frenojë situatën, pa mundur të shmangë kontaktet e ngushta që do të përfshinin edhe tifozët e Romës. Një bilanc më i saktë mund të merret vetëm sot paradite.

Dhuna u ftillua nga një episod i parëndësishëm, kur në zonën e tifozëve të Feyenoord-it, një qytetar vendas nisi korin “Roma, Roma, Roma”, duke shkaktuar reagimin e mbështetësve portokalli. Pas një dite shumë të qetë, tensioni kapi kulmin në perëndim të diellit, veçanërisht kur tifozët holandezë pushtuan qendrën e qytetit. Përplasje disa qindra metra larg selisë së qeverisë, në “Mustafa Matohiti”, ku rreth 200 ultras holandezë u përplasën me policinë, duke gjuajtur me gurë agjentët, dy prej të cilëve u plagosën.

Në sheshin Skënderbej, në qendër të Tiranës, një makinë policie ka mbetur me xhama të thyer. Përleshje raportohen edhe në periferi, të cilat shohin gjithmonë si protagonistë tifozët holandezë. Romanistët nga ana tjetër janë shumë më pak, shumica e tyre do të mbërrijnë vetëm sot dhe janë të ndarë mes Tiranës e Durrësit. Gjithsesi, policia ka intensifikuar kontrollet, por pas mesnate situata ka qenë aq shqetësuese sa mysafirët e hoteleve në kryeqytet janë “këshilluar fort” që të mos largohen nga ambientet”.

Nga ana e saj, “La Repubblica” ka shkruar mbi atë që ndodhi në Tiranë dhe rrezikon të agravohet sot, ditën e finales së “Conference League”:  “Një numër i konsiderueshëm të plagosurish, të paktën 15, ndoshta edhe më shumë. Shumë të tjerë u arrestuan, 60, nga të cilët 48 ishin italianë. Nata e pragut të finales në Tiranë, ku Roma do të luajë kundër Feyenoord-it, është kthyer në një natë lufte guerile.

Përplasje me policinë, e cila u detyrua të nxirrte edhe armët për të mbajtur larg ultrasit, sidomos holandezët, por jo vetëm, të cilët u përleshën me policinë deri në hijen e njërës prej godinave qeveritare. Këmisha të zeza, pothuajse uniforma e rebelëve, kortezhe nëpër rrugët e qytetit dhe gurë kundër makinave të policisë. Gjithsej 9 oficerë u plagosën, thuajse të gjithë përfunduan në spital. Dhe finalja është ende një ditë e tërë larg.

Vigjilja e ndeshjes u parapri nga përplasja, ku një 45-vjeçar shqiptar mbeti i plagosur rëndë në kokë dhe u dërgua në spital. Kjo ndodhi brenda zonës së tifozëve ku ndodhej një grup ultrasish holandez. I plagosuri është shtruar në spital, por nuk është në rrezik për jetën. Sipas pronarit të lokalit ku ndodhi përleshja, një shok e goditi aksidentalisht të lënduarin me karrige, duke gabuar shënjestrën. Nëntë tifozë të Feyenoord u dërguan në stacionin e policisë për hetime. Kjo ishte vetëm shkëndija e parë e asaj që do të ndodhte më vonë.

Pas incidenteve që plagosën 45-vjeçarin, tifozët e Feyenoord-it nuk janë qetësuar, por u nisën me shkopinj drejt zonës së stadiumit. Policia konfirmoi se ka pasur përplasje, me rrahje dhe gjuajtje gurësh mes efektivëve të rendit dhe tifozëve nga Holanda (deri më tani në Tiranë duket se janë rreth shtatë mijë). Incidente të tjera kanë ndodhur në një nga zonat e jetës së natës në Tiranë, disa qindra metra larg selisë së qeverisë, në rrugën ‘Mustafa Matohiti’, poshtë shtëpisë së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, e kontrolluar nga agjentë. Njësitë speciale të forcave të rendit kanë ndërhyrë dhe kanë zmbrapsur simpatizantët holandezë që ishin nisur drejt sheshit Skënderbej, në qendër të Tiranës.

Një makinë policie ka mbetur me xhama të thyer. Me kalimin e orëve, në vendngjarje kanë hyrë edhe italianët, të cilët kanë hedhur gurë duke shkaktuar dëme në makina. Dy italianë, me sa duket tifozë të Romës, janë shtruar në spital pasi janë përfshirë në përplasjet me policinë në Tiranë. Njëri ka pësuar lëndime në fytyrë, tjetri trauma në kokë. Të paktën 15 mbështetës të tjerë të ekipit verdhekuq, sipas një zëdhënësi të policisë, ishin shoqëruar në një komisariat.

Ngjarja e parë ishte ajo që dërgoi në spital një 45-vjeçar shqiptar. Zona ku ndodhi incidenti është prej kohësh e kufizuar dhe e ndaluar për publikun nga forcat e policisë lokale. Në mesin e operatorëve të sigurisë pati shqetësim për gjendjen e të plagosurit, i cili mbeti pa ndjenja për disa minuta në tokë nën sytë e shumë kalimtarëve, para se të vinin lajme ngushëlluese nga spitali. Burime policore rindërtuan skenën: Zënka mes burrit dhe një grupi holandezësh të dehur nisi kur shqiptari i pyeti pse e shtynë. Ultrasit e Feyenoord-it reaguan me dhunë të madhe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat