​Batatina pret që Kupa e Kosovës të shkojë në Podujevë

Futboll

​Batatina pret që Kupa e Kosovës të shkojë në Podujevë

Më: 25 maj 2022 Në ora: 16:33
Tahir Batatina

Para finales së Kupës së Kosovës, trajneri i Llapit Tahir Batatina dhe portieri Ilir Avdyli kanë folur mbi përgatitjet për ndeshjen kundër Dritës.

Ata shprehën besimin se do të dalin ta mposhtin rivalin gjilanas dhe ta dërgojnë kupën në Podujevë.

Batatina tha se janë të relaksuar para takimit pasi që tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane sezonin e ardhshëm.

Batatina: Do ta bëjmë maksimumin nesër

“Kemi mposhtur pretendentët kryesorë për titull të kampionit. Ndoshta është një motiv pak më i madh për mua si trajner dhe për skuadrën, kështu që na kemi ardhur në finale me plot meritë, duke i mposhtur skuadrat më të forta, por finalja është finale. Sido që të jetë jemi të relaksuar, jemi të gatshëm, kemi arritur Evropën si skuadër kështu që do ta bëjmë maksimumin që nesër në ndeshje do të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Batatina.

Më tej, Batatina tregoi se ndeshja e nesërme do të jetë ndër finalet më të mira pas luftës.

Batatina: Do të jetë ndër finalet më të mira pas luftës

“Do të jetë një ndër finalet më të mira, pas luftës, duke e ditur se dy skuadrat do të luajmë pa presion, dyja e kemi siguruar Evropën, dhe e kërkojmë trofeun, dhe do të thotë që ne nuk kemi presion dhe vetë fakti që e kemi siguruar Evropën, nesër do të mundohemi që të paktën të bëjmë ndeshje të mirë, të bukur për tifozë, edhe për shikues, sepse nganjëherë loja e futbollit luhet edhe për shikues, ata do të jenë nesër një numër i madh në tribuna” tha Batatina.

Batatina tregoi se e gjithë ngarkesa do të jetë mbi supet e Dritës.

Batatina: Kupa e ka mësuar rrugën për në Podujevë

“Ndoshta nesër Llapi do të jetë paksa më i qetë se Drita. Drita ka presionin që 20 vjet nuk ka marrë kupë, Llapi do të thotë e ka ende të freskët kupën pas një viti. Kështu që na nuk kemi ndonjë ngarkesë, ngarkesën e mban Drita. Ne do të jemi të qetë nesër në lojë, ashtu që do të thotë që kupa e ka mësuar rrugën për Podujevë, dhe besoj që do ta mbajmë prapë, që nesër në ora 22:00 ta çojmë prapë në Podujevë”, tha Batatina.

Ndërkaq, portieri i Llapit, Ilir Avdyli tregoi se qasja e trajnerit ka qenë rol kyç në suksesin e Llapit këtë sezon.

Avdyli: Ndeshja e kupës është trofeu i dytë më i rëndësishëm në Kosovë

“Nuk është hera e parë që luajmë ndeshje të rëndësishme, sepse ndeshja e kupës është trofeu i dytë më i rëndësishëm, dhe kupa e Republikës, prandaj duhet ta ketë rëndësinë e veçantë, por te kjo pjesë nuk e kemi problem, pasi që trajneri është i hapur në komunikim dhe në deklarata”, tha Avdyli.

Nesër nga ora 20:00, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Dritës dhe Llapit për finalen e Kupës së Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat