Nesër finalja Drita - Llapi, optimizëm për sukses

Futboll

Nesër finalja Drita - Llapi, optimizëm për sukses

Më: 25 maj 2022 Në ora: 17:16
Nesër finalja Drita-Llapi, optimizëm për sukses

Në prag të ndeshjes së nesërme finale të Kupës së Kosovës, Drita – Llapi, trajnerët dhe futbollistët e të dyja skuadrave kanë dhënë opinionet e tyre para mediave në konferencën e organizuar nga FFK.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka deklaruar se skuadra e tij është e gatshme për finalen e së enjtes dhe ka premtuar angazhim maksimal të djelmoshave të drejtuar prej tij.

“I kemi marrë të gjitha masat. Kam besim te skuadra, gjithçka që kemi përgatitur do t’i nxjerrim në fushë. Kemi përballë një skuadër të shkëlqyer, por do të mundohemi t’i shfrytëzojmë pikat e dobëta të tyre. Skuadra është e plotë, e gatshme për të dalë në fushë. Duam të shkruajmë historinë, për Intelektualët, për stafin, për të gjithë”, ka thënë ndër të tjera Nuhiu, i cili në konferencë për shtyp ishte së bashku me kapitenin e skuadrës Ardian Limani.

Ky i fundit tha se çdo trofe është i rëndësishëm dhe për të do të jetë privilegj nëse arrin ta ngritë këtë kupë. “Kjo është finalja e parë për mua dhe pa dyshim se nëse fitojmë do të jetë trofe i veçantë. E di që edhe tifozët e presin me padurim këtë trofe pasi mungon tash e shumë vite në klub dhe do të bëjmë të pamundurën për ta fituar”, ka thënë Limani.

Në anën tjetër, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se skuadra e tij është e relaksuar para kësaj finaleje dhe pret që këtë trofe ta mbajnë në Podujevë.

“Lojtarët janë në formën e duhur. Kemi kontingjent cilësor që e kanë bart barrën kryesore gjatë tërë edicionit. Jemi të bashkuar dhe kemi harmoni brenda grupit më shumë se çdo skuadër tjetër. Kemi ardhur deri këtu duke eliminuar skuadra të mëdha dhe kjo na jep motivë shtesë për sukses”, ka thënë Batatina. Ai ka thënë se objektivi i Llapit ka qenë që të arrihet Evropa dhe tani kur është arritur ky objektiv synon që mos ta mbylll edicionin pa trofe.

Ndërkaq, portieri Ilir Avdyli është shprehur optimist për fitore. “Finalet janë ndeshje mjaft të vështira si për portier si për çdo lojtar. Puna e portierit është pak më e ndjeshme. Duhet ta menaxhojmë lojën si duhet, presioni është në anën e Dritës sepse nuk e kanë këtë trofe në dy dekada, derisa ne e kemi në sirtar”, ka thënë Avdyli.

Finalja ndërmjet Dritës dhe Llapit luahet të enjten në “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat