Ronaldo vazhdon të ketë kontratë me Manchester United

Futboll

Ronaldo vazhdon të ketë kontratë me Manchester United

Më: 3 korrik 2022 Në ora: 13:17
Ronaldo

Ditën e djeshme në Angli doli lajmi i bujshëm. Cristiano Ronaldo ka kërkuar transferimin, largimin nga Manchester United. Fenomeni portugez dëshiron të luajë në Champions League, çka nuk iu mundësua me “Djajtë e Kuq”, të cilët nuk u renditen në top 4 e Premier League, sezonin e kaluar.

Për pasojë, nuk do të marrin pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm për klubet në Europë, edicionin e ri.  Menjëherë filluan të shfaqen skuadrat e interesuara për shërbimet e CR7, nga Napoli te Chelsea, duke kaluar përmes Bayern Munich.

Siç raporton “The Athletic”, ka një skuadër që në mënyrë të pabesueshme nuk është e interesuar për ish-lojtarin e Juventusit dhe Real Madridit. Po flasim për PSG-në.

Klubi i pasur francez, i cili mburret me fenomene si Messi, Neymar dhe Mbappé, nuk ka ndërmend të bëjë ofertë për CR7, pavarësisht se në të kaluarën portugezi është lidhur disa herë me parizienët.

SITUATA – Pas një sezoni zhgënjyes, Cristiano Ronaldo, në moshën 37-vjeçare, e ka të qartë se do të jetë e vështirë të ngrejë tituj në “Old Trafford” dhe veçanërisht Champions League, obsesioni i tij i madh, duke qenë se klubi nuk merr pjesë në kompeticionin më të lartë europian për klube.

Nëse nuk do të merrte pjesë sezonin e ardhshëm, ai do t’i jepte fund serisë së tij prej 19 vitesh radhazi në Champions League, që nga largimi nga Sportingu i Lisbonës si adoleshent. Janë 183 prezenca të tij në kompeticionin në fjalë, të ndara me 140 gola dhe 42 asiste, përveçse e ka ngritur trofeun në 5 raste.

Kjo është arsyeja e madhe që CR7 duhej të kërkonte që, në rast se do të vinte një ofertë e kënaqshme, Manchester United ta pranonte atë në mënyrë që të përpiqej të zgjeronte legjendën e tij, tani që i ka mbetur gjithnjë e më pak kohë në elitë. Kujtojmë se “Djajtë e Kuq” do të luajnë në “Europa League”.

Ndër të gjitha klubet që mund të jenë të interesuar për CR7, ato që bien në sy janë Bayern Munich dhe Chelsea, të cilët tashmë kanë shfaqur interes për inkorporimin e sulmuesit. Në fakt, nga Anglia raportojnë se Todd Boehly, pronari i ri i bluve të Londrës, është takuar me Jorge Mendes një muaj më parë me shpresën për të siguruar një marrëveshje për sulmuesin.

Megjithatë, Cristiano vazhdon të ketë kontratë me Manchester United edhe për një sezon, deri në qershor 2023, me opsionin e një edicioni më shumë, ndaj do t’i duhet të paguajë për largimin. Vetëm një vit më parë, Manchester United pagoi 15 milionë euro për të, shumë të cilën “Djajtë e Kuq” shpresojnë t’ua rikthejë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat