Bujar Neziri: As Bylbyl Sokoli, as Genc Hoxha, të gjithë ata që ishin, nuk e kanë pa të arsyeshme asnjëherë me tregu...

Futboll

Bujar Neziri: As Bylbyl Sokoli, as Genc Hoxha, të gjithë ata që ishin, nuk e kanë pa të arsyeshme asnjëherë me tregu...

Nga: Kemajl Goca Më: 2 tetor 2022 Në ora: 12:55
Bujar Neziri

Pa donatorë në vitet e 90-ta nuk do të ekzistonte sporti në përgjithësi.

Veprimtarët dhe donatorët ishin shtylla e sportit në vitet më të rënda, në vitet kur Kosova u rrethua në të gjtiha anët nga makineria e pushtuesit serb

Bujar Neziri, kryetar i klubit të futbollit Kosova e Dusseldorfit, nuk kurseu asgjë nga vetja në vitet e 90-ta, për të ndihmuar futbollin e Kosovës, veçmas në diasporë duke e sensibilizuar jo vetëm në shtetin gjerman. Neziri mori mirënjohje edhe nga presidenti historik i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. 

Image

Legjenda ( tani i ndjeri) Fadil Vokrri, presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova dhe Bujar Neziri

Në vitin 1997, pjesë e Kosovës së Dusseldorfit ka qenë edhe Rexhep Murseli, prej futbollistëve më të mirë, po ashtu trajner Fatmir Raka. 

Lojtarët e Kosovës së Dusseldorfit, 2021 - 2022

Naser Ilazi, Shyqeri Alili, Astrit Hyseni, Xhuli Liçkollari, Rashit Asllani, Mariglen Shosha, Albion Ilazi, Shkëlqim Ilazi, Klajdi Bozha, Çlirim Krasniqi, Irfan Nebi, Jonas Janssen, Viklas Schisksi, Vullnet Mustakofiski, Amo Amorosso, Hedon Tërpeza dhe Armando Gega. 

Image

I pari ulur në të majtë, Bujar Neziri, në kohë si lojtar i Kosovës së Dusseldorfit 

Neziri flet për Superkupën e Kosovës që u zhvillua në Gjermani, për kontributin dhe pse i ka mbetur hatri në Bylbyl Sokolin dhe në klubet ferizajase. 

“Bota sot”: Gjithë Kosova iu njeh si kontribues i madh, donator i futbollit të Kosovës, sidomos në vitet e 90-ta kur ishte më së vështiri. Si e sheh tani gjendjen pas 25 viteve, kur në vitin 1997, u organizua turneu në Dusseldorf, aty mori pjesë edhe legjenda (i ndjeri) Fadil Vokrri me ekipin e tij?

Bujar Neziri: Mundësi kanë qenë në vitet e 90-ta, isha ndër afaristët më të suksesshëm në rrethinën e Dusseldorfit. Kam pas mundësi me kontribuar atje për futbollin e Kosovës. Kosova ka qenë në gjendje të mjerueshme për arsye të okupimit.

Fillimisht në Gjermani është organizuar një garë, që organizohet edhe sot por pak më ndryshe, kemi garuar për Kupë të Kosovës, kemi shkuar për shembull në Berlin, i ka ra shorti me luajt në Berlin dhe kemi shkuar të organizuar ose në Frankfurt por tani është pak më ndryshe, bëhet organizimi në një vend dhe vijnë edhe ekipet tjera. Ne kemi qenë fitues të Kupës së Kosovës për Diasporë në Gjermani. Kemi organizuar Superkupën e Kosovës për herë të parë, që ka ardhur ekipi i 2 Korrikut të Prishtinës, atëkohë të gjitha shpenzimet i kam hequr unë, ka qenë edhe Halil Shabani që na ka ndihmuar me “Reiseburo-n” e Zahir Shabanit, të cilët iu kanë dhënë mundësi që ata me ardhë me bileta, po ashtu edhe kombëtaren e Kosovës. E kemi organizuar garën e Superkupës dhe kemi fituar ne. Jemi ftuar në Paris si delegacion i KF Kosova Dusseldorf, jemi takuar me z. Ibrahim Rugovën, presidentin e Kosovë, i cili na ka nderuar me mirënjohje që kemi bërë për masivizimin e sportit të Kosovës në Diasporë dhe në Gjermani.

Pastaj ka shpreh dëshirën kombëtarja e Kosovës me ardh dhe me zhvilluar një lloj turneu, meqenëse ka qenë pak me vonesë, për arsye se ishte kohë e festave, Krishtlindjet. Sa më kujtohet ka qenë me 18 - 20 dhjetor të vitit 1997. Kemi organizuar një turne, pjesëmarrëse Kosova Dusseldorf, kombëtarja e Kosovës dhe ekipi i Fadil Vokrrit nga Franca, po ashtu edhe një ekip nga Bielefeld-i.

Kemi organizuar turneun në Dusseldorf, ku fitues ka dalë  Kombëtarja e Kosovës, ne dolëm të dytë si Kosova Dusseldorf, e kështu me radhë. Të gjitha organizimet  i kam bërë unë po ashtu edhe shpenzimet i kam hequr vet, si për ekipin e Fadil Vokrrit që ka qenë i akomoduar po ashtu edhe Kombëtarja e Kosovë. 

Si e shoh pas 25 viteve? futbolli Kosovës ka përparuar jo në atë nivelin, në atë pritshmërinë që duhet me qenë, duke marrë për bazë për arsye se stadiumet, me infrastrukturë që ka Kosova është gati e pabesueshme me arrit rezultate më të mira. 

Image

Nga e majta, Adnan Merovci, Nadir Haxhimusa, Fadil Vokrri, presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, Bujar Neziri...

Çka me bën përshtypje mu, e përcjelli shumë sportin, jemi rrit në këtë vend, e dua këtë vend, përcjelli debatet televizive kur shoh në asnjë mënyrë nuk përmendet Kosova e Dusseldorfit ose unë si person që kam kontribuar atje. Nuk jam përmendur në asnjë studio, se ky person apo Kosova Dusseldorf ka bërë këtë punë dhe këtë kontribut. Pra, ishin krejt emrat që janë edhe sot dhe ende janë aktivë në futbollin e Kosovës, si është Bylbyl Sokoli (selektor në vitin 1997), trajneri Genc Hoxha, të gjithë këta që kanë qenë atje me kombëtare të Kosovës, nuk e kanë pa të arsyeshme asnjëherë me cek që në vitet e okupimit, u kanë dikush që ka pas mundësi me afruar që me luajt një lojë miqësore, ku përmes Televizionit Shqiptar në vitin 1997 janë lajmëruar rezultatet.

Nuk kam dëgjuar asnjëherë që janë përmendur këto, është për keqardhje dhe nuk e di pse nuk e kanë bërë dhe ku është arsyeja. Mendoj,  se gjithmonë e vërteta del në shesh, vonon por del në sheh.

Image

Bujar Neziri, Fadil Vokrri dhe Nadir Haxhimusa

Ndoshta në të ardhmen dikush e sheh të arsyeshme të tregoj të vërtetën. Jam në gjendje me dalë me diskutuar edhe në studio televizive, në debat të hapur sepse ky është realiteti. E shoh të dhimbshme që nuk flitet për atëkohë, e dijnë vet ata pse nuk e kanë bërë. Ndoshta kanë turp e turpërohen, ky është realiteti. Fadil Vokrri, i ndjeri, ka qenë me ekip, na ka bërë respektin, një emër i madh sportiv, ka ardhur me ekip pa problem dhe për një qëllim.  

Kam dëgjuar më herët, sipas të dhënave që kemi, Bylbyl Sokoli dhe këta që kanë qenë atëkohë, para se me ardh Kosova në Gjermani, ishin në Turqi, nuk e kanë zhvilluar asnjë lojë, ku ishin ftuar nga një biznesmen dhe nuk e kanë zhvilluar garën fare. Janë kthyer mbrapsht. Sipas të dhënave, kanë ardhur në Dusseldorf, i kemi pritur me të gjitha të mirat. Ky është realiteti.

Image

“Bota sot”: Sipas informacioneve, organizimi i turneut në vitin 1997 iu ka kushtuar deri 200 mijë marka, a keni qenë edhe në shënjestër të agjentëve serbë, kur dihet se ata kanë vepruar edhe jashtë Kosovës?

Bujar Neziri: Shpenzimet nuk i kam në detaje, që me thënë 200 mijë marka, ta kemi parasysh, me kombëtare dhe ekipi i Fadil Vokrrit nga Franca, diku ishin 53 veta, kanë qëndruar diku dy javë, pastaj 2 Korriku, mendoj se e kalon shumën me siguri 150 mijë marka.

Kur është bërë organizimi, as që e kam lodhur mendjen se dikush me ka në shënjestër, unë e kam ditur që kam ikë nga vendi prej një dhune barbare që kanë bërë serbët, as që me ka shkuar mendja. Me siguri ata janë interesuar dhe e kanë pyet prindin tim, se djali yt e ka një restorant, një hotel, sepse janë përgjuar telefonat, por nuk jam lodhur për këtë punë.

Njerëzit kanë dhënë shumë më shumë, unë kam dhënë ndihmë financiare që kam pas mundësi dhe jam krenar për këtë.

“Bota sot”: Çfarë ju ka dëshpëruar?

Bujar Neziri: Me thënë të drejtën si euforik që kemi qenë dhe të vuajtur, kemi pa njerëz që nuk kanë pasur mundësi me luajt  futboll dhe ua kemi dhënë mundësinë.

Më shumë që jam zhgënjyer, ndihem keq, si është e mundur që këta që kanë qenë dhe janë në sport, e kanë përjetuar live, pjesëmarrës në atë garë dhe nuk iu ka shkuar ndërmend njëherë, as FFK-së e as klubeve që iu kam ndihmuar, sidomos klubeve ferizajase, nuk e ka pa mirënjohës as komunat e Ferizajt, të paktën të më japin një mirënjohje që kushton 50 centi.

 Kam kontribuar pa interes apo që nesër të marrë ndonjë post në klubin ferizajas, edhe me pas mundësi nuk e kam atë interes sepse veprojë jashtë vendi, të paktën nga ana njerëzore u desh të nderohem e respektohem.

Kam pa njerëz që janë shpërblyer me mirënjohje, mirë që iu është dhënë mirënjohje, por nëse dikush jep dhjetëfishin apo njëzetfishtin, e merr dikush një mirënjohje, është për keqardhje, kjo të shtyn që të mendosh ku po shkojmë ne si komb dhe si popull, kjo është e dhimbshme!  Çfarë më ka ndodhur mua sot i ndodh dikujt tjetër nesër.

“Bota sot”: E përmende presidentin Rugova që iu ka nderuar me një mirënjohje, çfarë iu tha në Paris në vitin 1997?

Bujar Neziri: Në atë darkë kemi qenë ftuar si klub Kosova e Dusseldorfit dhe Fadil Vokrri, në viti 1997, mos gaboj në nëntor. Në atë takim, në atë mbrëmje edhe një deputet i parlamentit të Francës ka qenë aty po ashtu edhe Adnan Merovci, edhe Skënder Hyseni,  u nderuam me mirënjohje për respektin që i kemi i bërë kombëtares së Kosovës dhe ekipit të Fadili Vokrrit. Mujë Rugova, ministër i arsimit ka qenë në Dusseldorf,  në ndeshjen Kosova – 2 Korriku. Kemi ngrënë darkë të përbashkët, kemi shkuar në hotel unë, Fadil Vokrri, i ndjeri Nadir Haxhimusa, një shok i ynë Konjufca, edhe atë natë ka ardhur Fatos Nano. A ka qenë e rastësishme? 

Image

Kombëtarja e Kosovës në vitet e 90-ta 

Nuk, e di! Kur erdh Fatos Nano, ne kemi qenë aty me Adnan Merovcin, me ne edhe Skënder Hyseni. Nanon e pruri policia franceze me përcjellje, i cili sa e dij ka qenë kryeministër i Shqipërisë në ato vite.

Ai na përshëndeti, duke pyetur ku e keni presidentin Rugova. Adnan i tha: “Është larg në dhomë”. Nano në shaka i tha: “Nëse nuk më uron festën e Nëntorit me ka obligim kombëtar”. 

“Bota sot”: Porosia? 

Bujar Neziri: Porosia për futbollin e Kosovës? Kemi talent, potencial njerëzor, por  e shoh se në futbollin e Kosovës i jepet mundësi antisportistëve edhe po bëhet pak për infrastrukturë në Kosovë. E di se nuk ka mundësi me qenë si në Gjermani! Shembull, Ferizaj është e turpshme si një qytet me mbi 150 mijë banorë mos të ketë një stadium. Shembull është Dusseldorfi me rrethinë, i ka 700 mijë banorë, minimum i ka 80 stadiume.

Duhet me pas vend ku luan dhe ku arkëtohet rinia, jo vetëm stadiume por edhe fusha në shumë sporte.  Rinia mos të mbyllen në shtëpia. Ka mundësi me bë më shumë shteti. Kemi pas rastin në vitin e kaluar, kemi luajt kundër Llapit për Superkupë, ne nuk ka prit asnjë nga ministria. Gojën e kanë plot diasporë por kur vijmë nuk respektohem, së paku e meritojmë. I vetmi që na ka prit është Agim Aliu, kryetar i komunës së Ferizajt, na ka shtruar një darkë, e falënderoj nga zemra, për një ekip që ka harxhuar 30 mijë euro për të ardhur në Kosovë. Edhe Agim Ademi na ka shtruar darkë dhe e ka hequr një pjesë të shpenzimeve në hotel. Qeveria duhet me dhënë më shumë. Unë kam qenë adhurues i Albin Kurtit dhe më herët edhe i krahut të luftës, por jo vetëm me përmend Diasporën por edhe duhet me respektuar Diasporën. 

Image

 

Mendoj se po bëjnë shumë pak. Edhe federata shqiptare e futbollit në Gjermani, që 20 vite janë të njëjtit persona, jemi munduar me bë rifreskim, por aty është bërë monopol. Nga 40 ekipe marrin pjesë 10 ekipe në turne.

Nuk marrin pjesë ekipet më të mëdha shqiptare. FFK duhet mi vëzhguar ata njerëz çka janë duke bërë dhe çka mundem me bë për ne, mu koordinuar të gjithë së bashku dhe me ecë përpara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat