Një lajm i trishtë

Futboll

Një lajm i trishtë

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 20:57
Sulejman Maliqati

Futbolli shqiptar është në zi, sepse është ndarë nga jeta në moshën 94-vjeçare simboli portës shqiptare, Sulejman Maliqati. I mbiquajturi “Macja e Zezë” e futbollit shqiptar, apo “Heroi i Lajpcigut”, ai ishte mbrojtësi i sigurt i portës së Partizanit dhe kombëtares shqiptare, në periudhën 1950-1964. Para pesë ditësh, Maliqati është rrëzuar dhe është dëmtuar rëndë. Me gjithë përkujdesjen e mjekëve, ai nuk mundi t’i përballonte dëmtimet dhe nuk mbijetoi.

Durrësi, por dhe gjithë bota e sportit, do t’i japin nesër lamtumirën për në banesën e fundit, Sulejman Maliqatit, portierit legjendar të kombëtares shqiptare. Dy vite më parë, Maliqati u nderua nga Presidenti Meta me titullin e lartë “Nderi i kombit”, ndërkohë që për kontributin e dhënë ndër vite në sportin e futbollit portieri legjendar është nderuar edhe me titullin “Qytetar nderi” i Kavajës dhe “Mjeshtër i merituar i sportit”, raporton RTSH.

Ai do të mbahet mend si futbollist, trajner, kuadër i edukimit fizik, baba i dhembshur, bashkëshort i përkushtuar, gjysh ideal, shok dhe mik gati i të gjithë shqiptarëve. Homazhet për 94-vjeçarin që mbylli sytë pasditen e të mërkurës do të zhvillohen në hollin e Pallatit të Kulturës në Durrës, në orën 13.00-15.00.

Kortezhi mortor do të niset në orën 15.00 drejt varrezave të qytetit, ndërkohë që pritet që qindra qytetarë t’i bashkohen homazheve për “macen e zezë” të portës së kombëtares shqiptare, që lindi më 1 gusht 1928 në qytetin e Kavajës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat