Shqiptar apo jo, teoria që po tërbon rrjetin për Lionel Messin

Futboll

Shqiptar apo jo, teoria që po tërbon rrjetin për Lionel Messin

Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 12:33
Ilustrim

Lionel Messi barazohet me Maradonën si legjendë dhe gjeni tashmë në Argjentinë.

Festimet e djeshme për Kupën e Botës treguan se çfarë populli futbolldashës janë si komb argjentinasit. Messi është njëri ndër ta, ka lindur në Rosario, ka ikur qysh i vogël, por nuk i ka mohuar dhe harruar kurrë rrënjët.

Ai ka pasur mundësi të luante me të gjitha kombëtaret e tjera, sidomos me Spanjën, por nuk ka hezituar të përfaqësojë fanellën bardhekaltër. E ka ngritur atë deri në “çatinë” e botës, me triumfin e fundit në “Katar 2022”. Sigurisht prej tij, si dikur nga Maradona, kombëtarja argjentinase ka fansa në mbarë botën, edhe në Shqipëri.

Madje, ka personalitete të fushave të tyre në vendin tonë që shkojnë deri atje, sa thonë se Messi e ka origjinën shqiptare. Po, po. Kështu, Naim Flamuri, historian shqiptar, ka vazhduar të mbështesë teorinë e tij se ylli argjentinas ka prejardhje arbëreshe.

Në një emision të “Euronews Albania”, Flamuri ka theksuar se për këtë fakt ekzistojnë edhe dokumente, vetëm se duhet të kryhen disa hulumtime. “Kemi dokumente, duhet të ketë një studim të mirëfilltë, dokumentet janë aty, janë shumë të lexueshme. Janë bërë studime të emigrimeve, jo përkatësisht për një familje apo tjetër. Për shembull ka një studim që merret vetëm me origjinën e familjes së Messit.

Po të kemi këto dituri, mund ta gjejmë shumë lehtë, dokumentet janë, të gjitha janë të shkruara. Familja e babait të Lionel Messit, Angelo Messi, ka emigruar në vitin 1883 nga vendbanimi arbëresh Porto Recanati për në Argjentinë. Angelo Messi vinte prej babait nga familja “Meksi”, që me origjinë ishin nga Gjirokastra, por të emigruar në Itali”.

Një teori të tillë, në fakt e ka përqafuar më herët edhe filozofi i njohur shqiptar, Përparim Kabo. Ai ka bërë një deklaratë të guximshme në studion e “Procesi Sportiv” në “Top CH”, duke thënë se ka shumë mundësi që Lionel Messi të ketë origjinë shqiptare.

Kabo deklaroi se Messi është një mbiemër shqiptar dhe citoi një nga alabanologët më të shquar në botë, i cili e ka pranuar këtë fakt: “Milan Shuflaj, një ndër albanologët më të njohur në botë, ka thënë se mbiemri Messi është mbiemër shqiptar. Mesi vetë e ka pranuar që është me origjinë nga kalabrezët e Italisë. Prandaj nuk është çudi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat