Tirana “flet” vetëm në fushë!

Futboll

Tirana “flet” vetëm në fushë!

Më: 19 maj 2023 Në ora: 15:05
Tirana

Barazimi me derbi ka shijuar pothuajse si një fitore për Tiranën, për mungesat që kishte, por edhe për mënyrën se si shkuan gjërat me Partizanin në avantazh dhe për disa minuta kryesues të kampionatit.

Me barazimin 1-1 bardheblutë ia dolën të mbanin të kuqtë dy pikë pas, por përpara janë edhe 3 ndeshje, ku luhet gjithçka.

Për këtë arsye, në kampin kryeqytetas kanë vendosur regjimin e heshtjes së shtypit deri në fund të kampionatit.

Klubi ka vendosur që lojtarët, stafi teknik dhe drejtuesit të mos prononcohen për mediat deri në fund të kampionatit, me përjashtim të konferencave zyrtare për shtyp para ndeshjeve.

Një vendim i marrë ky në fazën më delikate të sezonit, natyrisht me synimin për të mbajtur grupin të fokusuar 100% te ndeshjet në fushë, pa u shpërqendruar nga daljet mediatike apo dhe polemikat që nuk i shërbejnë kauzës së Tiranës në këtë moment.

Edhe pse bardheblutë kanë në dorë fatin e tyre si kryesues të Superiores, ata janë të vetëdijshëm se misioni nuk është aspak i lehtë përkundrazi.

Tirana duhet t’i fitojë të 3 ndeshjet e mbetura pa marzh gabimi, për të mos parë se çfarë bëjnë rivalët e kuq, nuk u lejohet madje as një barazimi, duke qenë se, nëse e mbarojnë kampionatin me pikë të barabarta, kreu shkon për rivalët e përjetshëm që janë superiore në përballjet direkte këtë sezon.

Për këtë arsye, kokën ulur, dhe shumë punë, duke folur në fushë, pa menduar për mediat!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat