Pochettino nis spastrimet te Chelsea

Futboll

Pochettino nis spastrimet te Chelsea

Më: 31 maj 2023 Në ora: 12:20
Mauricio Pochettino

Mauricio Pochettino ka punë për të bërë te Chelsea.

Trajneri argjentinas nënshkroi deri në vitin 2025 me blutë e Londrës, me opsionin që klubi ta zgjasë angazhimin deri më 2026.

Është një projekt afatgjatë për të cilin trajneri duhet të vendosë gurët e parë të themelit.

Dhe një nga detyrat më urgjente do të jetë lehtësimi (krasitja) e grupit të madh të lojtarëve në dispozicion.

Ish-lojtari i Tottenham dhe Espanyol, ndër të tjera, ka në dorë planifikimin e “ringjalljes” së një Chelsea, i cili që kur fitoi Champions League më 2021 nuk e ka ngritur kokën. Chelsea shpenzoi më shumë se 600 milionë euro në merkaton e fundit të transferimeve dhe nuk do të luajë në garat evropiane sezonin e ardhshëm. Një dështim total, duke pasur tepricë futbollistësh dhe milionash…

Me 33 lojtarë në grupin aktual, plus ata të huazuar, në një skuadër të çekuilibruar tani i takon Pochettino të vendosë rregull. Ky rregull nënkupton qartësimin e të ardhmes së disa prej atyre futbollistëve. Sipas “Daily Mail”, deri në 15 lojtarë të Chelsea e kanë të ardhmen e tyre pezull dhe mund të largohen nga “Stamford Bridge”.

“Pierre-Emerick Aubameyang, Hakim Ziyech, Christian Pulisic, Edouard Mendy dhe Callum Hudson-Odoi pritet të largohen, ndërsa e ardhmja e Kalidou Koulibaly, César Azpilicueta dhe N’Golo Kante është e paqartë”, – shkruan gazeta angleze.

Por ka më shumë se kaq. Lojtarët e tjerë të përmendur për largim janë Denis Zakaria, i cili do të kthehej te Juventusi, klubi i tij i origjinës, Kovacic, Conor Gallagher, Trevoh Chalobah dhe Loftus-Cheek, të cilët gjithashtu mund të largohen.

Një tjetër nga ata që nuk do të vazhdojë është Joao Félix, lojtar që Pochettino nuk e ka sezonin e ardhshëm, ndaj do të rikthehet tek Atlético Madridi, skuadra që e dha në huazim. “E vërteta është se nuk mund t’ju tregoj planin me Joao. Lajmi që morëm dje ishte se trajneri i ri nuk e ka atë në plane te Chelsea.

Ne nuk kemi asgjë të planifikuar ende, Joao është lojtar i Atléticos tani”, – tha të martën Enrique Cerezo, president i Atlético Madridit. Me interes është të mësohet edhe fati i Armando brojës yllit tonë kuqezi, i cili vijon riaftësimin pas dëmtimit të rëndë.

Deri më tani, emri i tij nuk figuron në listën e spastrimeve të Pochettino, çka tregon se do t’i jepet shansi sulmuesit shqiptar për ta treguar vetem, pasi të kthehet në fushat e blerta. Mosha e tij e re, potenciali që ka, por edhe kontrata afatgjatë, duket se e bëjnë Brojën pjesë të së tashmes dhe së ardhmes së bluve të Londrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat