Vllaznia bën detyrën në “Loro Boriçi” përballë Teutës në javën e pestë të Kategorisë Superiore, fiton 2-0 dhe katapultohet menjëherë në pjesën e sipërme të renditjes me tetë pikë të grumbulluara, dy më pak se Tirana dhe Egnatia.
Lojtari kyç për ekipin shkodran rezultoi Bekim Balaj, që po shndërrohet në një “bomber” i Superiores.
Sulmuesi kuqeblu shënoi të dy golat e sfidës, të parin me kokë në minutën 16-të, në zhvillimet e një goditjeje këndore, ndërsa të 42-tën shndërroi në gol një 11-metërsh të shkaktuar nga Jazxhi për prekje të topit me dorë.
Pesë gola në total për Balajn, aq sa Dwamena i Egnatias, me të cilin duket se do të garojë gjatë për çmimin e golashënuesit më të mirë.
Epërsia e dyfishtë që në fraksionin e parë i dha qetësi skuadrës shkodrane, që e kontrolloi me qetësi lojën, duke mos i lënë hapësira skuadrës durrsake. Teuta e mbylli ndeshjen në inferioritet numerik, pasi portieri Dema u ndëshkua me karton të kuq dhe për disa minuta mes shtyllave u vendos Beqja, pasi ishin kryer të gjitha zëvendësimet.
Mbyllet me fitoren e pastër të Vllaznisë kjo ndeshje, ndërsa për Teutën ishte humbja e dytë në katër takime, pasi ka për të zhvilluar edhe ndeshjen e prapambetur me Partizanin.