Meksika starton me fitore
Meksika e nisi në mënyrë spektakolare aventurën në Grupin A të Kampionatit Botëror, duke gjunjëzuar me rezultat 2:0 Afrikën e Jugut në një atmosferë të bukur para rreth 85 mijë shikuesve në Mexico City dhe me tre kartona të kuq.
Afrika e Jugut u gjend nën presion të madh që nga minuta e 49-të, kur mbeti me një lojtar më pak në fushë. Yaya Sithole u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrjeje nga prapa si lojtari i fundit në mbrojtje.
Meksika – Afrika e Jugut 2:0
Stadiumi "Banorte", Mexico City.
Shikues: 85.000.
Gjyqtar: W. Sampaio (Brazili).
Shënues: Quinones (9'), Jimenez (67').
Kartona të verdhë: Gutierrez - Mokoena, Sibisi.
Kartona të kuq: Montes - Sithole, Zwane.
Meksika: Rangel, Montes, Vasquez, Reyes, Gallardo, Lira (Alvarez 76'), Fidalgo (Mora 66'), Gutierrez (Chavez 66'), Jimenez (Gonzalez 76'), Quinones (Vega 79'), Alvarado
Afrika e Jugut: Williams, Modiba (Appollis 77'), Mbokazi, Sibisi, Mudau, Okon, Mokoena, Sithole, Adams (Zwane 61'), Foster (Mbatha 57'), Rayners (Makgopa 77').
Meksika rrezikoi që në minutën e 5-të, kur Raul Jimenez goditi nga rreth 16-17 metra, por portieri Ronwen Williams bëri një pritje brilante.
Epërsia erdhi në minutën e 9-të. Julián Quiñones gjuajti nga rreth 14-15 metra dhe topi përfundoi në rrjetë mes këmbëve të portierit kundërshtar për rezultatin 1:0.
Në minutën e 42-të, shtylla e majtë shpëtoi Afrikën e Jugut pas një tjetër goditjeje të bukur të Quiñones.
Vetëm katër minuta (49’) pas fillimit të pjesës së dytë, Sithole u përjashtua me karton të kuq, duke e vështirësuar edhe më shumë misionin e afrikanëve.
Në minutën e 56-të, Aubrey Modiba provoi nga distanca për Afrikën e Jugut, por portieri Raul Rangel reagoi mirë.
Goli i qetësisë për meksikanët erdhi në minutën e 67-të, kur Raul Jimenez realizoi me kokë nga afërsia pas një asistimi të bukur nga Roberto Alvarado për rezultatin përfundimtar 2:0.
Në minutën e 84-të Themba Zwane (Afrika e Jugut) goditi kundërshtarin e tij dhe gjyqtari i jep karton të kuq pasi shikoi VAR-in, Afrika mbeti pa lojtarë në fushë.
Në minutën e 90+2 gjyqtari tregon karton të kuq! Cesar Montes (Meksikë) përjashtohet nga loja direkt me karton të kuq.
Meksika kështu arkëtoi tri pikë të mëdha në hapje të grupit, ndërsa Afrika e Jugut u tregua e pafuqishme përballë një rivali shumë të fortë.
Më 18 qershor, Afrika e Jugut përballet me Çekinë (18.00, ndërsa më 19 qershor, Meksika luan ndaj Afrikës së Jugut (24.00).