Prishtina spektakolare, triumfon ndaj Ballkanit

Futboll

Prishtina spektakolare, triumfon ndaj Ballkanit

Nga: K.G. Më: 16 gusht 2026 Në ora: 20:56
Albin Krasniqi,

Prishtina e ka nisur furishëm dhe ka triumfuar ndaj Ballkanit me rezultat 4:2.

Protagonisti kryesor i sfidës ishte Albin Krasniqi, i cili shënoi dy gola në pjesën e parë, ndërsa për Prishtinën realizuan edhe Diata dhe Kastriot Selmani.

Prishtina e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme. Në minutën e 10-të, Albin Krasniqi zhbllokoi rezultatin. Leotrim Kryeziu asistoi për mrekulli te Krasniqi, i cili nga rreth 12 metra, me një goditje përtokë, e dërgoi topin në këndin e majtë të poshtëm për 1:0.

Vetëm tetë minuta më vonë, Krasniqi goditi sërish. Në minutën e 18-të, sulmuesi i Prishtinës mori topin dhe nga rreth 15 metra goditi me mjeshtëri. Topi përfundoi pothuajse në këndin e djathtë të poshtëm, ndërsa portieri i Ballkanit vetëm e përcolli me sy. Prishtina 2:0 Ballkani.

Ballkani reagoi dhe në minutën e 24-të fitoi një penallti. Serebe mori përgjegjësinë dhe nga pika e bardhë ngushtoi rezultatin në 2:1.

Prishtina vazhdoi të kërkonte golin e tretë dhe atë e gjeti në fund të pjesës së parë. Në minutën 45+1, Diata, në debutimin e tij me fanellën e Prishtinës, realizoi një gol të bukur. Ai mashtroi fillimisht një mbrojtës dhe më pas edhe portierin e Ballkanit, duke e dërguar topin në rrjet për 3:1.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër gol të Ballkanit. Në minutën e 49-të, Engjëll Ajazaj realizoi dhe riktheu mysafirët në lojë, duke e ngushtuar rezultatin në 3:2.

Ballkani tentoi të barazonte, por në minutën e 62-të mbeti me një lojtar më pak. Batarelo u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje nga prapa ndaj një lojtari të Prishtinës, në afërsi të zonës së rreptësisë.

Në minutën e 63-të, Kastriot Selmani shënoi nga gjuajtja e lirë për 4:2. Selmani goditi fuqishëm, ndërsa topi u devijua nga Ajazaj, duke e mashtruar edhe portierin e Ballkanit dhe duke përfunduar në rrjetë.

Deri në fund, Prishtina e kontrolloi avantazhin dhe e ruajti fitoren 4:2.

Shbanhaxhoviq dy herë goditi traversën e portës së Prishtinës, por fati nuk ishte në anën e tij.

Në fund, Prishtina festoi një fitore të rëndësishme dhe spektakolare ndaj Ballkanit, në një ndeshje me gjashtë gola, një penallti, një karton të kuq dhe shumë raste shënimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat