Gjenerata e sakrificës në futboll, në rezistencë ndaj regjimit serb, dha një kontribut të madh.
Si trima të vërtetë, ata zhvillonin ndeshjet javë pas jave dhe, ashtu siç i kishte hije asaj gjenerate, nuk u trembën asnjëherë, pavarësisht maltretimeve, kërcënimeve, rrahjeve dhe arrestimeve nga milicia e okupatorit serb.
Mbi 5 mijë shikues u tubuan në fushën e fshatit Malishevë të Gjilanit, më 31 gusht 1997, ditë e diel. Ata ndoqën një ndeshje të mirë ndërmjet Gjilanit ’95 dhe Lirisë së Prizrenit, e cila përfundoi me fitoren e Gjilanit me rezultat 2:1.
Njëri prej protagonistëve të asaj ndeshjeje ishte Nehari Toska, i cili shënoi në këtë përballje të gjeneratës së sakrificës.
Pas javës së dytë, Gjilani renditej në vendin e pestë me 4 pikë, ndërsa Liria ishte në vendin e gjashtë me 3 pikë.
Në krye të tabelës ishte Kosova e Vushtrrisë me 6 pikë, e ndjekur nga Flamurtari dhe Besiana, po ashtu me nga 6 pikë.
“Ndër ndeshjet kryesore e më të rëndësishme të këtyre javëve, ajo midis Gjilanit ’95 dhe Lirisë së Prizrenit plotësoi arsyetoi epitetin, meqë vërtet u zhvillua lojë dramatike, veçmas në pjesën e dytë, në të cilën edhe u përcaktua fituesi.
Kjo nuk do të thotë që pjesëloja e parë nuk qe më pak interesante. Fillim e mbarim, 45 minutat e para kaluan në shenjë të një loje pak a shumë të nivelizuar, me mbrojtje të forta, sulme të shpejta e veprime të mira të të dy palëve.
Një varg rastesh shënimi, të cilat nuk u kurorëzuan me shënime, ose për shkak të veprimeve shumë të mira të portierëve, ose me mungesën e përqendrimit të duhur dhe pasaktësisë së sulmuesve”, ka shkruar mes të tjera gazeta “Bujku” më 1 shtator të vitit 1997.
Liria – Gjilani ’95 2:1
Moti i bukur, terren i mirë, herë – herë me riga shiu.
Shikues: Mbi 5 mijë.
Golashënues: N. Ajeti (77) dhe Halimi (88) për Gjilanin ’95, ndërsa Toska (6’) për Lirinë.
Gjyqtarë: Shemsi Humolli, Gani Havolli dhe Ibrahim Delibazhzade, të tre nga Prishtina.
Me karton të verdhë u ndëshkua Nushi i Lirisë.
Gjilani ’95: Bunjaku, Xhemajl, Lipovica, S. Ajeti, Aliu, Jaha, Halimi, Muji (N. Ajeti), Sahiti, Ibrahimi dhe Dërmaku.
Liria: Karahoda, Maralusha, A. Berisha, L. Berisha, Bakaj, Nushi, Dana, Tamniku, Çollaku (Gavazaj), Toska, (Temaj) dhe Buçaj (Beseni).