Kur një ndeshje merr peshën e një finaleje, Shqipëria ka treguar ndër vite se di të përgjigjet në fushë. Historia e viteve të fundit e Kombëtares kuqezi ka disa momente të rëndësishme, ku skuadra ka ditur të marrë rezultatet që i duheshin pikërisht atëherë kur presioni ka qenë më i madh.
Një nga shembujt më të qartë daton në vitin 2015, kur Shqipëria luajti ndeshjen e fundit të grupit në transfertë ndaj Armenisë.
Kuqezinjtë triumfuan 3-0 dhe siguruan kualifikimin për në Europianin e vitit 2016, duke shkruar një nga faqet më të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar. Një vit më pas, në Europianin e Francës, Shqipëria u gjend sërish përballë një situate ku vetëm fitorja mund t’i mbante gjallë shpresat për kalimin e grupit. Kuqezinjtë mposhtën Rumaninë 1-0 falë golit të Armando Sadikut, por rezultati nuk mjaftoi për shkak të golaverazhit, duke i dhënë fund aventurës europiane.
Rasti më i fundit lidhet me eliminatoret e Europianit 2024. Shqipëria u përball me dy sfida të drejtpërdrejta dhe shumë të rëndësishme ndaj Polonisë dhe Çekisë, ku mori rezultate pozitive dhe hodhi një hap të madh drejt kualifikimit. Në fund, dy barazimet në ndeshjet e fundit ishin të mjaftueshme që kuqezinjtë të siguronin për herë të dytë pjesëmarrjen në një Kampionat Europian. Tashmë historia përsëritet në një tjetër moment delikat.
Përballja me Finlandën ka një rëndësi të veçantë për objektivat e Shqipërisë.
Një fitore do ta vendoste Kombëtaren në një pozicion shumë të favorshëm për të siguruar vazhdimësinë në Ligën B të Ligës së Kombeve për sezonin e ardhshëm, ndërsa njëkohësisht do t’i jepte një avantazh të rëndësishëm në garën për të siguruar vendin në play-off-in europian.
STATISTIKAT- Përballjet mes Shqipërisë dhe Finlandës kanë nisur më shumë se pesë dekada më parë dhe deri tani dy skuadrat janë përballur shtatë herë. Bilanci është në favor të finlandezëve, të cilët kanë regjistruar katër fitore, ndërsa Shqipëria ka marrë dy suksese dhe një ndeshje është mbyllur në barazim. Fitorja e parë kuqezi ndaj Finlandës erdhi më 10 tetor 1973, kur Shqipëria triumfoi 1-0 në shtëpi.
Shtatë vite më vonë, më 3 shtator 1980, Kombëtarja fitoi sërish ndaj finlandezëve, këtë herë me rezultatin 2-0. Dy skuadrat u takuan për herë të fundit më 7 janar 2002, në një turne me katër skuadra në Bahrein. Sfida përfundoi në barazim 1-1.
Në total, Shqipëria ka shënuar pesë gola në këto shtatë përballje, ndërsa Finlanda ka realizuar tetë herë.
Tashmë, pas më shumë se dy dekadash nga përballja e fundit, dy skuadrat rikthehen përballë njëratjetrës në një ndeshje me shumë më tepër peshë për objektivat e kuqezinjve.