UEFA ka ndaluar dy gazetarë izraelitë që të marrin pjesë në konferencat për shtyp pas ndeshjes Irlandë–Izrael, e cila të dielën mbrëma përfundoi me rezultat 1–1 në Baçka Topola të Serbisë.
Vendimi i UEFA-s erdhi pas skenave kaotike në konferencën për shtyp të kombëtares irlandeze një ditë më herët, ku pyetjet e dy gazetarëve izraelitë sollën ndërprerjen e parakohshme të konferencës së trajnerit Heimir Hallgrímsson.
Njëri prej gazetarëve e pyeti trajnerin irlandez lidhur me incidentin e raportuar me një avion të kompanisë Flydubai, ndërsa një gazetar tjetër ngriti pretendime se futbollistë irlandezë kishin përdorur gjuhë raciste ndaj lojtarëve izraelitë gjatë ndeshjes së parë mes dy skuadrave.
Zyrtari i komunikimit i Federatës Irlandeze të Futbollit, Kieran Crowley, i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime.
“Është krejtësisht e pavërtetë”, ishte reagimi i tij, pas së cilit konferenca u ndërpre. Sipas raportimeve, njëri prej gazetarëve më pas tentoi të ndiqte Hallgrímssonin jashtë sallës për t’i kërkuar përgjigje, por u ndalua nga sigurimi.
Të dielën, para ndeshjes, dy gazetarët u njoftuan se nuk do të lejoheshin në konferencat për shtyp pas ndeshjes. The Irish Times raporton se vendimi ishte marrë në nivel të UEFA-s dhe lidhej me “linjën politike të pyetjeve” të tyre.
UEFA, ndërkohë, shtoi pjesëtarë të ekipit të saj të marrëdhënieve me mediat për të mbikëqyrur konferencat dhe për të siguruar që pyetjet të fokusoheshin te ndeshja dhe futbolli.
Vendimi erdhi në një klimë të jashtëzakonisht tensionuar mes dy kombëtareve. Irlanda dhe Izraeli u përballën të dielën për herë të dytë brenda pak ditësh, ndërsa ndeshja u zhvillua në një stadium pa tifozë në Serbi për shkak të çështjeve të sigurisë dhe rrethanave të veçanta rreth këtij dueli.
Irlandezët sërish nuk shtrënguan duart me futbollistët izraelitë para ndeshjes dhe lojtarët e saj ulën kokën gjatë himnit të Izraelit. Të dyja skuadrat mbajtën shirita të zinj në krahë, por për arsye të ndryshme të deklaruara nga palët.
Në fund, ndeshja u mbyll 1–1, me Troy Parrott që shënoi nga penalltia për Irlandën, ndërsa Dor Peretz barazoi për Izraelin.
Pas ndeshjes, trajneri irlandez Hallgrímsson i bëri thirrje UEFA-s që të mos i vendosë më dy kombëtaret përballë njëra-tjetrës në të ardhmen, duke thënë se nuk do të dëshironte që ndonjë kombëtare të kalonte nëpër atë që skuadra e tij kishte përjetuar gjatë këtyre dy javëve.