Granit Xhaka dënohet për certifikatë! Ky është dënimi

Futboll

Granit Xhaka dënohet për certifikatë! Ky është dënimi

Nga: K.Goca Më: 8 tetor 2026 Në ora: 14:40
Granit Xhaka

Kapiteni i Zvicrës e ka pranuar vendimin dhe përgjegjësinë për veprimin e tij. Dënimi financiar është me kusht, ndërsa shpenzimet e procedurës i ka paguar.

Granit Xhaka ka njoftuar të enjten se është dënuar në lidhje me sigurimin e dy certifikatave të rreme të vaksinimit kundër COVID-19 gjatë pandemisë.

Image

Sipas transmetuesit publik zviceran RSI, kapitenit të kombëtares së Zvicrës i është caktuar një dënim financiar me kusht prej 50 njësish ditore, secila në vlerën prej 3 mijë frangash. Shuma e përgjithshme arrin në 150 mijë franga zvicerane.

Futbollisti e ka bërë publik vendimin përmes një postimi në Instagram, ku ka deklaruar se e pranon dënimin dhe merr përgjegjësinë për veprimin e tij.

Çfarë nënkupton dënimi me kusht?

Shuma prej 150 mijë frangash nuk përbën një pagesë që Xhaka duhet ta kryejë menjëherë. Sipas shpjegimit të tij, dënimi nuk do të ekzekutohet nëse gjatë periudhës së provës nuk kryen vepra të tjera penale.

Xhaka ka bërë të ditur se shpenzimet e procedurës tashmë i ka paguar.

“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë”, ka shkruar ai, sipas RSI-së.

E kishte pranuar gabimin në shtator

Çështja u bë publike në shtator, pasi gazeta zvicerane “Blick” raportoi për hetimet. Më 21 shtator, Xhaka pranoi se gjatë pandemisë kishte siguruar një vërtetim vaksinimi, duke shpjeguar se në atë kohë kishte pasur frikë dhe pasiguri për vaksinën.

Në reagimin e tij, ai e cilësoi veprimin si gabim, kërkoi falje dhe deklaroi se do të bashkëpunonte plotësisht me autoritetet.

Pas këtij deklarimi, Xhaka nuk mori pjesë në grumbullimin e kombëtares zvicerane për ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve. Federata Zvicerane e Futbollit njoftoi se vendimi ishte marrë bashkërisht me futbollistin, për të sjellë qetësi në skuadër dhe për ta mbajtur vëmendjen te ndeshjet.

Federata kishte paralajmëruar se pas përfundimit të këtij cikli ndeshjesh do ta rivlerësonte situatën bashkë me Xhakën dhe do të diskutonte hapat e mëtejshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat