Vega sfidon Infantinon

Futboll

Vega sfidon Infantinon

Më: 8 tetor 2026 Në ora: 19:01
Infatino w Vega

Ka nisur zyrtarisht gara për presidencën e FIFA-s, me zgjedhjet që do të zhvillohen në marsin e ardhshëm në Marok. I pari që del hapur në garë përballë Gianni Infantinos është Ramón Vega.

Ish-mbrojtësi i Zvicrës, i cili ka luajtur edhe me Cagliari-n dhe Tottenham-in, në moshën 55-vjeçare ka shpallur kandidaturën e tij, duke u paraqitur si një alternativë për ndryshimin e kursit të futbollit botëror.

Vega premton reforma, modernizimin e FIFA-s dhe, mbi të gjitha, rikthimin e besimit te institucioni.

Sipas tij, mënyra se si është drejtuar organizata deri tani ka dëmtuar moralin e botës së futbollit dhe ka cënuar kredibilitetin e saj.

Ish-futbollisti zviceran thekson se futbolli nuk duhet t’u përkasë presidentëve apo drejtuesve, por njerëzve, ndërsa e sheh kandidaturën e tij si një përpjekje për të ribashkuar familjen e futbollit botëror.

Por Vega nuk është një emër i ri në këtë garë. Ai ka tentuar të kandidojë edhe në vitet 2015, 2019 dhe 2022, por pa arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme.

Për të hyrë zyrtarisht në garë, kandidatët duhet të kenë mbështetjen e të paktën pesë federatave kombëtare.

Ndërkohë, Gianni Infantino ka nisur tashmë një fushatë aktive për të siguruar mbështetje në vende të ndryshme.

Edhe UEFA po shqyrton mundësinë e një kandidature alternative, megjithëse deri tani nuk ka një emër që të gëzojë një konsensus të gjerë.

Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 18 nëntor, ndërsa zgjedhjet e 18 marsit do të përcaktojnë jo vetëm presidentin e ardhshëm të FIFA-s, por edhe drejtimin që do të ndjekë futbolli botëror në vitet në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat