Vetëm 16 vjeç, por tashmë me një kontratë afatgjatë dhe me sytë e klubeve të ndryshme mbi të.
Ilan Memeti, talenti shqiptar me prejardhje nga Miratoca e Luginës së Preshevës, po shndërrohet në një nga emrat më premtues të portës, dhe Lausanne-Sport ka vendosur të mos humbasë talentin e tij.
Portieri i ri, i cili sezonin e kaluar u shpall kampion i Zvicrës U16 me Lausanne-Sport, ka nënshkruar kontratë të re me klubin zviceran deri në qershor të vitit 2029.
Memeti shkëlqeu në fundin e sezonit të kaluar, sidomos në finalen e kampionatit zviceran U16, ku pritjet e tij ndihmuan Lausanne-Sport të siguronte titullin.
Paraqitjet e tij nuk kaluan pa u vënë re.
Përkundër interesimit që ka ardhur edhe nga jashtë Zvicrës, klubi ka zgjedhur t’i besojë talentit të tij dhe ta mbajë pjesë të projektit për vitet e ardhshme.
Memeti është gjithashtu pjesë e Maqedonisë së Veriut U17, pasi më herët kishte qenë i grumbulluar me U16.