Stadiumi Kantrida pritet të marrë një pamje krejtësisht të re. Rijeka do të ketë një stadium të ri dhe Kantrida, stadiumi i saj legjendar, synohet të shkëlqejë përsëri.
Arkitekti Sinisha Zdjelar është autori i konceptit për Kantridën e re, ndërsa nismëtari i projektit ishte Damir Mishkoviq, presidenti i HNK Rijeka.
Rijeka u largua nga Kantrida në vitin 2015, kur u zhvendos në Rujevicë, ku luan edhe sot. Zdjelar, nga ZDL Studio, e shpjegoi më hollësisht projektin në podcastin Krepat ma ne molat.
“U larguam nga arena klasike që mund të ndërtohej kudo në botë. U përpoqëm të qëndrojmë në kontekstin e Kantridës, në një stadium që i përshtatet vetëm këtij lokacioni.”
Sa tifozë do të ketë?
Sipas mediumit kroat, "Index", në diskutimet me klubin dhe përfaqësuesit e Rijekës, është vlerësuar se kapaciteti ideal do të ishte rreth 12.000–15.000 spektatorë.
Megjithatë, projekti mund të përballojë një kapacitet pak nën 20.000 vende.
Arkitekti shpjegoi se rritja nga 15–17 mijë në rreth 18–20 mijë vende nuk do të ishte shumë e shtrenjtë, sepse struktura bazë do të ishte tashmë e përgatitur.
Problemet dhe kostot rriten ndjeshëm kur kapaciteti kalon 20.000 vende. Në atë rast nevojiten struktura të tjera, përfshirë kate shtesë, hyrje të ndryshme dhe sisteme më komplekse evakuimi.