Nga njëra anë është dëshira për të vazhduar të luajë për aq kohë sa trupi i përgjigjet siç duhet, ndërsa nga ana tjetër është nevoja për të fi lluar të mendojë edhe për të ardhmen profesionale pasi të mbyllë karrierën.
Sepse, sado që Luka Modriç mund të vazhdojë ende, momenti kur do t’i duhet të varë këpucët me taka në gozhdë po afrohet gjithnjë e më shumë.
Koha e tërheqjes? Ende e pasigurt
Kapiteni i Kroacisë sqaroi situatën në lidhje me të ardhmen e tij pas ndeshjes me Spanjën, e fundit për këtë periudhë të gjatë të Ligës së Kombeve. “Ndjehem mirë, kam ende pasionin, ambicien dhe forcat. Dhe për sa kohë që do të ndihem kështu, dua të vazhdoj të luaj”, tha Modriç për “Cadena Cope”. “Sa do të zgjasë në këtë moshë?
Nuk mund ta them. Mund të jenë dy muaj, tre muaj, gjashtë muaj, një vit, dy vite…
Nuk e di. Nuk dua të jap një përgjigje tani dhe më pas të pendohem. Do të shkoj hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje, muaj pas muaji, duke dëgjuar trupin tim dhe duke parë se si ndihem. Më pas do të vendos me qetësi të plotë.
Do të shohim sa do të zgjasë. Nëse ky do të jetë viti im i fundit në futboll apo nëse do të vazhdoj edhe më tej, nuk e di.
Por mund t’ju them se ndihem mirë dhe po e shijoj ende”, shtoi mesfushori kroat. Fjalë që sigurisht janë pritur me kënaqësi nga tifozët e Milanit.
Rikthimi te Reali? Modriç foli edhe për mundësinë e një rikthimi te Real Madridi, këtë herë në një rol drejtues, pasi emri i tij ishte lidhur me këtë mundësi gjatë verës. “Do të më pëlqente, por dua të jem i dobishëm dhe të punoj për Madridin, jo brenda Madridit. Duhet të përputhen shumë gjëra që unë të mund të rikthehem”, u shpreh ai. Për momentin, për Modriçin ekziston një mision mbi të gjitha: të rikthejë Milanin në Ligën e Kampionëve.