Gjyqi për vdekjen e Maradonës, prokuroria kërkon dënim me 12 vjet burg për mjekun neurokirurg

Futboll

Gjyqi për vdekjen e Maradonës, prokuroria kërkon dënim me 12 vjet burg për mjekun neurokirurg

Më: 9 tetor 2026 Në ora: 07:55
Diego Maradona

Prokuroria kërkon dënime me burg për mjekët dhe personat që kujdeseshin për Diego Maradonën. Neurokirurgu Leopoldo Luque rrezikon 12 vite burg për vdekjen e legjendës së futbollit argjentinas, ndërsa për një nga mjekët kërkohet pafajësia.

Prokurori Patricio Ferrari, në procesin gjyqësor për vdekjen e Diego Maradonës, ka kërkuar dënimin me 12 vite burg për neurokirurgun Leopoldo Luque, i konsideruar si personi kryesor i akuzuar në këtë çështje.

Luque drejtonte ekipin mjekësor të ngarkuar me kujdesin shëndetësor të ish-kampionit të botës, i cili ndërroi jetë më 20 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare.

Sipas prokurorisë, neurokirurgu duhet të mbajë përgjegjësi për veprën penale të vrasjes me dashje, me rrethana rënduese që lidhen me statusin e tij si mjek dhe marrëdhënien e miqësisë me Maradonën.

Dënimi prej 12 vitesh burg është më i rëndi i kërkuar nga prokurori në këtë proces, i cili për personat e tjerë të përfshirë ka propozuar masa të ndryshme dënimi, në varësi të përgjegjësive që u atribuohen.

Për Nancy Forlini, koordinatore e sigurimeve shëndetësore pranë kompanisë Swiss Medical, si dhe për psikiatren Agustina Cosachov, prokuroria ka kërkuar nga tetë vite burg për veprën penale të vrasjes së thjeshtë.

Ndërkohë, për psikologun Carlos Díaz është kërkuar dënimi me pesë vite burg. Për infermierin Ricardo Almirón dhe përgjegjësin e tij, Mariano Perroni, prokurori ka kërkuar nga katër vite burg, duke i konsideruar përgjegjës për vrasje nga pakujdesia.

Një qëndrim ndryshe është mbajtur për mjekun klinik Pedro Di Spagna, për të cilin prokurori Patricio Ferrari ka kërkuar pafajësinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat