Të dielën, në orën 13:00, në Çair do të zhvillohet ndeshja e javës së nëntë të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, ku do të përballen Shkëndija e Haraçinës dhe Shkëndija e Tetovës.
Në këtë ndeshje do të jenë të pranishëm edhe tifozët mysafirë.
Në këtë përballje të parë historike në elitën e futbollit mes dy skuadrave me emrin Shkëndija, me lejen e nikoqirëve nga Haraçina, do të marrin pjesë edhe “Ballistët”, tifozët e Shkëndijës së Tetovës.
Fillimisht, organizatori i ndeshjes nuk kishte lejuar praninë e tifozëve mysafirë. Megjithatë, sot vetë “Ballistët” konfirmuan se vendimi është ndryshuar dhe se ata do të udhëtojnë drejt Shkupit.
Përballja pritet të jetë një nga ndeshjet më të veçanta të kësaj jave, si për rëndësinë sportive, ashtu edhe për atmosferën që pritet të krijojnë tifozët në tribunat e stadiumit në Çair.