FIFA po përballet me një tjetër polemikë, pasi gazeta britanike “The Times” publikoi një raport ku pretendohet se presidenti i saj, Gianni Infantino, ka marrë pagesa të padeklaruara më parë në vlerë prej 1.6 milionë eurosh (1.9 milionë dollarësh), përmes një kompanie përgjegjëse për organizimin e Kupës së Botës në Miami.
Ky kompensim shtesë ka ngritur sërish pikëpyetje rreth presidentit të FIFA-s.
Organi qeverisës i futbollit botëror i mohon pretendimet dhe thotë se do t’i publikojë sërish detajet e pagës së Infantinos.
“The Times” raporton se Infantino kishte dy burime të ndara të të ardhurave, çka përbën thelbin e kësaj polemike.
Njëri ishte paga e tij zyrtare, e paguar nga FIFA dhe e deklaruar në raportet vjetore financiare të organizatës.
Burimi tjetër ishte kompensimi i padeklaruar më parë, i paguar nga entiteti përgjegjës për organizimin e Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazeta britanike thotë se një deklarim i dorëzuar pranë Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme të SHBA-së (IRS) nga FWC2026 US Inc. tregoi se Infantino kishte marrë atë vit edhe 1.9 milionë dollarë shtesë në formë kompensimi, pagesa të cilat FIFA nuk i kishte bërë publike.
Sipas “The Times”, pagesat lidhen pjesërisht me përshtatjet për koston e jetesës në Miami, përfshirë edhe marrjen me qira të një vile luksoze në zonën “Sunset Islands”.
FIFA beson se këto dhe zbulimet e tjera të fundit lidhen me përpjekjet e disa konfederatave, përfshirë UEFA-n, për ta larguar Infantinon nga posti në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, të cilat janë planifikuar të mbahen në Rabat më 18 mars.