Diego Simeone i ka dalë në mbrojtje të Julián Alvarezit, i cili po e kalon një periudhë të vështirë para portës me Atlético Madridin.
Trajneri argjentinas ka kërkuar durim me sulmuesin, duke theksuar se kontributi i tij në lojën e skuadrës nuk matet vetëm me golat e shënuar.
Álvarez nuk ka arritur ende ta gjejë rrugën e rrjetës në pesë paraqitjet e tij të para këtë sezon, në të gjitha garat.
Megjithatë, Simeone nuk dëshiron që kjo situatë të kthehet në një dramë, duke besuar se sulmuesi do ta rikthejë së shpejti formën e tij më të mirë.
“Sulmuesit me karakteristikat e Juliánit gjithmonë kanë nevojë për gola, dhe kjo nuk vlen vetëm për të”, deklaroi Simeone pas fitores ndaj Manchester United në Ligën e Kampionëve.
“Përtej aftësisë së tij për të shënuar, ai është një lojtar që punon për skuadrën, bashkëpunon mirë me shokët dhe ka shumë cilësi të tjera. Ai bëri një pjesë të dytë shumë të mirë në ndeshjen e fundit dhe shpresojmë që të vazhdojë të përmirësohet për ta arritur nivelin që të gjithë presim prej tij”, shtoi trajneri i Atlético Madridit.
Objektivi është të ecin ndeshje pas ndeshjeje
Simeone nuk dëshiron që skuadra e tij të mendojë shumë larg në Ligën e Kampionëve, por kërkon përqendrim maksimal në çdo takim.
“E kuptoj që njerëzit flasin për finalen e Ligës së Kampionëve që do të luhet në stadiumin tonë, por duhet të përqendrohemi te ndeshjet e përditshme. Kjo është forca jonë: të ecim ndeshje pas ndeshjeje”, përfundoi trajneri argjentinas.
Për Álvarezin, përballjet evropiane e përfaqësojnë një mundësi të mirë për ta lënë pas periudhën pa gola dhe për të dëshmuar se mbetet njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të Atlético Madridit.