Trajneri Çaba Laszlo kërkon golat

Futboll

Trajneri Çaba Laszlo kërkon golat

Më: 14 tetor 2026 Në ora: 15:01
Vllaznia

Vllaznia ka shënuar vetëm 6 gola në 6 javët e para të kampionatit, një statistikë që tregon qartë vështirësitë e shkodranëve për të gjetur rrugën e rrjetës në këtë fillim-sezoni.

Pavarësisht ndryshimeve të shumta në skuadër dhe pritshmërive për një repart ofensiv më produktiv, kuqeblutë ende nuk kanë arritur të krijojnë një vazhdimësi në shënimin e golave. Në këtë aspekt, vëmendja shkon te dy emrat që deri më tani kanë marrë përsipër përgjegjësinë për të zgjidhur ndeshjet e Vllaznisë.

Bekim Balaj dhe Edon Murataj kanë shënuar nga dy gola secili, duke qenë futbollistët më produktivë të skuadrës shkodrane. Goli i Muratajt në fitoren 1-0 ndaj Dinamos e ka ngjitur atë në kuotën e dy realizimeve, duke barazuar kapitenin Balaj.

Këto shifra tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e forcës sulmuese të 9 herë kampionëve mbështetet pikërisht te kjo dyshe. Balaj, me eksperiencën dhe nuhatjen e tij për golin, si dhe Murataj, që po shfaqet gjithnjë e më i rëndësishëm në fazën ofensive, kanë qenë zgjidhjet kryesore të kuqebluve në javët e para të sezonit.

Përveç dyshes Balaj-Murataj, në listën e golashënuesve të Vllaznisë figuron edhe Musta, ndërsa një tjetër gol ka ardhur nga një autogol i kundërshtarit. Një shpërndarje e tillë e realizimeve dëshmon se kontributi i pjesës tjetër të skuadrës në këtë drejtim ka qenë i kufizuar, duke e bërë edhe më të dukshme nevojën për alternativa të tjera në sulm. Pikërisht për këtë arsye, në kampin shkodran priten me interes golat e futbollistëve të afruar për të rritur potencialin ofensiv.

Tounkara dhe Perez janë dy nga emrat prej të cilëve pritet më shumë në vazhdim, me shpresën se do të arrijnë të japin kontributin e tyre në finalizim dhe të lehtësojnë barrën që deri tani kanë mbajtur Balaj dhe Murataj.

Një tjetër element që mund t’i japë një dimension të ri sulmit kuqeblu është rikthimi i Lirim Kastratit, i cili vijon të jetë në proces rikuperimi pas dëmtimit. Rikthimi i tij në dispozicion do t’i ofronte trajnerit Laszlo më shumë alternativa dhe cilësi në krahë.

Pas fitores ndaj Dinamos, Vllaznia ka gjetur disi qetësinë, por për të ecur përpara në kampionat, shkodranëve u duhet të shtojnë edhe numrin e golave, në mënyrë që zgjidhjet të mos varen vetëm nga dy emra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat