Egnatia shënon një pikë të rëndësishme teksa ditën e nesërme nis dhe rrugëtimin e ri evropian ku do të përballet me Midtjylland, në ndeshjen e vlefshme për Conference League, ora 18:45.
Kjo do të jetë hera e parë që Egnatia luan në një fazë të tillë në skenën evropiane dhe do të bëjë maksimumin për ta nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë eksperience, edhe pse do të ketë përballë një rival nga Danimarka që s’duhet nënvlerësuar kurrsesi.
Lidhur me këtë kalendar të ngjeshur, në kampin e rrogozhinasve, ekziston një “merak”. Pas ndeshjes së fundit të fituar në transfertë përballë Laçit, trajneri Nevil Dede u shpreh se kërkohet kujdes maksimal në menaxhimin e energjive.
Kalendari do të jetë intensiv, sa në Conference League aty ku do të luhen 6 ndeshje në fazën e ligës, si dhe në kampionat, aty ku Egnatia do të provojë të mbrojë statusin e kampiones në fuqi të Superiores. Në Superiore, sakaq, gjen një konkurrencë të ashpër me Teutën kryesuese dhe Dinamon që ndodhet në të njëjtën “valle” brenda top 3-shes.
Kujdesi është i rëndësishëm për të shmangur dhe dëmtimet që do të penalizonin planin e trajnerit Dede për të marrë maksimumin nga sfidat që i presin, sidomos ajo e nesërmja në “Air Albania” përballë Midtjylland.
Për fatin e tij të mirë, grupi shihet i gatshëm, me përjashtim të Bakayokos që ende duhet të marrë kohë për t’u rikuperuar plotësisht dhe të rikthehet në fushë.
Sa për aspektin taktik dhe strategjitë që do të aplikohen, Nevil Dede ka në dorë të shtrijë hartën e veprimit që Egnatia të arrijë objektivat që ka dhe të ndërtojë siç duhet identitetin me të cilin janë nisur në këtë sezon të ri.