Egnatia do të përballet nesër në mbrëmje me Midtjylland, në ndeshjen e vlefshme për raundin e parë të Conference League.
Sfida e cila do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë prej orës 18:45. Prag këtij dueli, kanë folur për mediat, trajneri Nevil Dede dhe kapiteni i skuadrës, mbrojtësi Albano Aleksi.
“I gjithë fokusi ynë është te ndeshja e nesërme sepse luajmë ndaj një kundërshtari realisht shumë të fortë që ka vite që luan përpos me Conference League, në Champions League edhe në Europa League.
Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe shpresojmë që, deri në fund të fazës të bëjmë më të mirën dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë që të shkojmë më tutje”, tha Aleksi.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për kapacitetin dhe cilësitë tona. Kjo është më e rëndësishmja.
Por nuk besoj që diferencat janë të mëdha, e përmenda dhe do e përmend me forcë; ne duhet të kuptojmë ku jemi dhe mbo të gjitha çfarë kërkojmë nga vetja. Pra, ambicia jonë sportive nuk do të ndalojë kurrë. Se sa do t’ia dalim dhe sa të fortë janë kundërshtarët, unë mendoj se fusha do ta tregojë këtë”, tha Nevil Dede.