Ish-portieri i klubit të futbollit Prishtina, Rade Zallad, i cili luajti për skuadrën kryeqytetase gjatë sezonit 1985–1986, në kohën kur kapiten ishte Fadil Vokrri, flet me krenari për periudhën që kaloi në Prishtinë.
Ai ka treguar edhe me cilin prej ish-futbollistëve shqiptarë mban kontakte më të shpeshta.
“Gjatë sezonit 1985–1986, pata kënaqësinë e madhe të luaja për një vit te KF Prishtina.

Reshat Ibraimi e Rade Zallad
Pas një sezoni të mirë, mu dha mundësia të luaja në Prishtinë, ku kalova një vit të paharrueshëm”, kujton Zallad në një intervistë për gazetarin Reshat Ibraimi, nga Maqedonia e Veriut, në televizionin “TV Open”.
“Tani, në këto momente, më rrëqethet trupi kur i kujtoj ato çaste të mrekullueshme. Në çdo ndeshje, stadiumi ishte i mbushur plot. Kisha fatin të isha në formë të mirë dhe kishim një ekip të shkëlqyer.
Ja, këtu është edhe miku im i dashur, Zoran Batroviq, i cili ishte një nga drejtuesit e atij ekipi të Prishtinës.
Natyrisht, aty ishte edhe i paharrueshmi Fadil Vokrri. Skënder Shengyli, kur e takova përsëri pas 40 vjetësh, u ndjeva sikur po takoja vëllain tim.
Çdo ndeshje stadiumi plot, Prishtina e pesta në atë ish Jugosllavi. Mund të merrni me mend në një konkurrencë ferri, ku në Prishtinë i kemi fituar të gjithë gjigandët, e kemi fituar Hajdukun, Partizanin, e kemi fituar edhe Cërvena Zvezdën, vetëm me Qiron dhe Dinamon kemi luajtur 0:0, por mendoj se ajo ishte një marrëveshje interne mes Fadil Vokrrit dhe Qiros”, tha Zalladi.
Ish-portieri i Prishtinës ka treguar edhe me cilin prej ish futbollistëve shqiptarë mban kontaktet më të shpeshta.
“Më së shpeshti komunikoj me Jusuf Tortoshin, pasi ai ka luajtur së bashku me mua në Eskishehir. Tortoshi ishte një futbollist i madh i Prishtinës, kështu që ne të kam disa kontakte.
Më vjen mirë kur dëgjova se miku im nga reprezentacioni i juniorëve dhe të pionierëve, Agim Cana, është mirë. Me këtë rast, dëshiroj ta përshëndes”, ka deklaruar ai.
Zallad ka shprehur gjithashtu keqardhje për ndarjen e parakohshme nga jeta të legjendës Fadil Vokrri.
“Më vjen keq për largimin e parakohshëm të Fadil Vokrrit. Mendoj se ai ishte një nga futbollistët më të shkëlqyer, i cili la gjurmë jo vetëm në futbollin e Kosovës, por edhe te Partizani, ku kaloi disa vite”, ka përfunduar Rade Zallad.