Teuta nuk ka të ndalur në këtë edicion të Abissnet Superiore. Durrsakët, edhe kundër Dinamos, treguan dominim të qartë, jo vetëm në rezultat, por edhe në lojë dhe në goditjet drejt portës kundërshtare.
Bregdetarët blindojnë kreun me 19 pikë pas 7 javësh, me një bilanc prej 6 fitoresh radhazi dhe vetëm 1 barazimi. Pas suksesit të sotëm ndaj dinamovitëve, para mediave foli trajneri Edlir Tetova:
“Na kënaqin 3 pikët. Nuk luajtëm në mënyrën më të mirë, por ia dolëm të fitonim. E kemi pikën tonë të djathtë, por Dinamo i kishte marrë masat. Kalimi i Malës ishte i planifikuar. Ne manovrat i kishim djathtas, nuk kemi gjë për të fshehur.
Forma e presingut të lojtarëve, me presing të lartë, e bëri të pamundur daljen në të djathtë. Pastaj, treguam me Malën në të majtë, pra ndërrimin e lojës. Funksionoi te goli i Pedros.
Në pjesën e dytë, u bë funksionale linja e djathtë me inkursione, ku shënoi Toli. Kishim 15 minuta që Dinamo na ngjeshi në portë. Edhe ndërrimet ishin të cungura. Në pjesën e dytë nuk isha shumë i lumtur me bllokun e ulët, krahasuar me atë që kishim përgatitur ne.”