Gjithçka ishte në shenjë të bashkimit, krenarisë kombëtare dhe dashurisë për Kroacinë. Ishte një moment i veçantë!
A ju kujtohet kush e shënoi golin e parë, - është titulli i mediumit kroat “Slobodna Dalmacija”.
Ky medium përmend edhe legjendën e futbollit të Kosovës, Kujtim Shalën, i cili iu bashkua kombëtares së Kroacisë me 17 tetor të vitit 1990 dhe doli kundër ish Jugosllavisë.
“Më 17 tetor shënohet përvjetori i një ndeshjeje historike për futbollin kroat, ndeshjes së parë të kombëtares kroate.
Pikërisht 36 vjet më parë, Kroacia e mposhti Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rezultatin 2:1, në stadiumin Maksimir të Zagrebit.
Siç shkruan Andrej Maksimoviq në librin e tij, Kroacia – SHBA, tani ose kurrë, gjithçka ishte pikërisht ashtu siç e përshkruan titulli. Ishte një moment historik, një çast që nuk harrohet.
Shumëçka është shkruar për rrethanat në të cilat u zhvillua ajo ndeshje e parë, por ia vlen ta kujtojmë edhe sot këtë ngjarje të veçantë.
Kroacia dhe SHBA-ja u përballën në Zagreb, ku fitorja i takoi kroatëve me rezultat 2:1.
Shënuesi i golit të parë historik ishte Aljosha Asanoviq, i cili realizoi në minutën e 27-të. Vetëm katër minuta më vonë, Ivan Cvjetkoviq shënoi për epërsinë 2:0 të Kroacisë. Të dy golat erdhën pas asistimeve të Marko Mlinariqit.
Amerikanët arritën ta ngushtonin rezultatin në minutën e 80-të, me golin e Dayakut, por rezultati përfundimtar mbeti 2:1 në favor të Kroacisë.
Një ditë që simbolizonte bashkimin dhe krenarinë
Ishin ditë krenarie, në periudhën kur vendi drejtohej nga presidenti i parë i Kroacisë, Franjo Tugjman.
Kryetari i atëhershëm i Federatës Kroate të Futbollit, Mladen Vedrish, dhe nënkryetari Rudolf Sabljak e organizuan ndeshjen në fshehtësi të madhe, për shkak të situatës politike të kohës. Në këtë nismë ndihmuan veçanërisht mërgimtari kroat Ivan Opaçak, Vinko Hotko dhe Jure Klariç, drejtor i kompanisë Voçe, e cila pagoi 90 mijë dollarë amerikanë për shpenzimet e ardhjes së përfaqësueses mysafire.
Ante Pavlloviq, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të ish Jugosllavisë, nënshkroi lejen për zhvillimin e ndeshjes. Në atë kohë, Federata Kroate e Futbollit ishte ende anëtare e federatës ish jugosllave dhe për organizimin e ndeshjes në Zagreb pati kundërshtime të shumta në Beograd.
Megjithatë, ndeshja u zhvillua zyrtarisht dhe në mënyrë të rregullt, para rreth 30 mijë shikuesve në Zagreb.
Formacioni i Kroacisë
Ladiç (Gabriç), Vuliç, Drazhiq, Çeliç, Kasallo, Pershon (Zhidan), Kujtim Shala, Kranjçar, Cvjetkoviq, Asanoviq (Mladenoviq) dhe Mlinariq.
Përzgjedhës ishte Drazhan Jerkoviq, drejtor i kombëtares Zorislav Srebriç, ndërsa në stafin teknik ishin Zdenko Kobeshçak, Joshko Skobllar, Vladimir Lukariç dhe Ivica Grnja:, ka shkruar media kroate.