Me u gëzuar që përfundoi ky Kampionat Evropian!

Futboll

Me u gëzuar që përfundoi ky Kampionat Evropian!

Nga: Nexhmedin Bunjaku Më: 11 korrik 2016 Në ora: 10:52
Nexhmedin Bunjaku

Debate

Me ndeshjen finale të luajtur mbrëmë në mes Portugalisë dhe Francës, merr fund edicioni i 15-të i Kampionatit Evropian në futboll. Kampionat në të cilin pati gjithçka, e më se paku futboll cilësorë, në të vërtetë pati futboll, por asi cilësie dhe lloji siç ishim mësuar të shohim në kampionatet e kaluara nuk kishte. Ky kampionat nuk e kishte shkëlqimin si kampionatet e mëhershme së paku nga superfuqitë e futbollit, nuk e kishte cilësinë dhe karakterin si më parë. Në këtë kampionat që nga rrethi apo xhiroja e parë, filluan kalkulimet të cilat në fund sollën edhe gjer tek ekstremi i “kurdisjeve”, gjë qe u pa dhe u vlerësua në shumë ndeshje. Ky kampionat ishte shumë i varfër në të gjitha elementet e futbollit përveç shikueshmërisë së madhe, animit të fuqishëm të tifozerisë për kombëtaret e tyre dhe zgjedhja e bukurosheve nëpër ndeshje të ndryshme. Të gjithë kemi pritur nga gjigantët e futbollit, si Gjermania, Italia, Anglia, Franca, Spanja, Kroacia, Belgjika etj. që së paku do të na kënaqin me lojë joshëse, do të na kënaqin me futboll cilësor, por për fat të keq nuk ndodhi ashtu si pritej. Atë çka nuk e bënë gjigantët e futbollit e bënë Uellsi, Islanda, dy Irlandat dhe Shqipëria, ku ndeshjet e këtyre kombëtareve dallonin jo për nga cilësia, por nga euforia dhe dëshira për plasman sa më të lartë, megjithatë ishin ndeshje me të pëlqyera. Gjithmonë në kampionatet e kaluara kur vinte fundi apo mbarimi, mërzitshim që po përfundon, kurse përfundimi i këtij kampionati besoj që shumicën e opinionit po e gëzon, po e gëzon qe nuk do të kemi më lojë nervash, nuk do shohim ndeshje të një cilësie të ulët, ndeshje të një strategjie kalkuluese dhe matematikave. Ndoshta “analistët” do të kishin dëshirë që ky kampionat të zgjat edhe ca, dhe ata të kenë se çka të analizojnë, por në një mënyrë, lere që ndeshjet e dobëta na kanë lodhur, por na kanë lodhur edhe një shumicë e “analistëve”. Dorën në zemër ka pas edhe analiza të mira dhe kuptimplote nga disa analist që e kuptonin dhe e ndienin futbollin, por në shumicë kanë qenë që të detyronin të ndërrosh kanalin. Krejt në fund, uroj që ky kampionat sa më shpejtë të harrohet, dhe në kampionatet tjera që do të vijnë qofshin ato evropiane apo Botërore, mos të ndodhin ato që ndodhën në këtë kampionat, duke filluar që nga incidenti i parë i tifozerisë e gjer tek kurdisjet.

Autori është ish-futbollist i Dritës nga Gjilani dhe ish-gjyqtar i futbollit

Qëndrimet nuk janë të redaksisë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat