Rashica u zgjua i frikësuar, më kë nuk guxon të fle

Futboll

Rashica u zgjua i frikësuar, më kë nuk guxon të fle

Më: 18 korrik 2016 Në ora: 10:54
Milot Rashica e Sheran Jeini

Sheran Jeini është kthyer në makthin e Milot Rashicës. Jo sepse mesfushori izraelit i Vitesses i rrezikon vendin në formacion futbollistit shqiptar, por sepse e frikëson atë me kuptimin e plotë të fjalës. Gjithçka ka një shpjegim të thjeshtë: Jeini është somnambul dhe askush nuk dëshiron të qëndrojë në dhomë me të kur ekipi është i grumbulluar në hotel para ndeshjeve apo gjatë fazës përgatitore. Vetë lojtari ka zbuluar për mediat holandeze se ai që e kishte pësuar më keq nga kondicioni i tij i veçantë, ishte pikërisht Milot Rashica, raporton panoramasport. “Shoh shumë ëndrra dhe çohem duke ulëritur gjatë natës. Ndaj tani fle vetëm”, tregoi 29-vjeçari Jeini. “Unë dhe Milot Rashica ndanim bashkë dhomën gjatë fazës përgatitore të një viti më parë. Po flinim dhe mendoj se ishte rreth ora dy e natës kur u zgjova dhe fillova të ulërija me zë të lartë në gjuhën time. Miloti u zgjua gjithashtu dhe ishte aq i frikësuar, sa nuk fjeti më deri në orën 6 të mëngjesit. Të nesërmen, pasi u zgjua, më tha: Sheran, më vjen keq po unë nuk mund të fle më në një dhomë me ty. Tani fle gjithmonë vetëm. Mua më vjen keq që ndodhi diçka e tillë, e kam këtë gjendje që kur isha tre vjeç dhe më përsëritet thuajse çdo natë”, shpjegoi mesfushori izraelit i cili iu bashkua Viteses në të njëjtën periudhë me Rashicën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat