Ibrahimi: O maqedon, përse po bëheni të njëanshëm

Futboll

Ibrahimi: O maqedon, përse po bëheni të njëanshëm

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 15 gusht 2016 Në ora: 13:26
Pamje në tribunat e stadiumit në Shkup gjatë sfidës Vardari - Shkëndija

Sfida mes Vardarit nga Shkupi dhe Shkëndijes nga Tetova, kaloi me fyerje e thirrje raciste nga tifozët ‘Komiti’ të Vardarit. Një sjellje vandale e tyre që duhet dënuar ashpër edhe nga Federata e Futbollit të Maqedonisë. Gazetarët maqedonas nuk raportuan korrekt, sepse fshehën të vërtetën që ndodhi në stadium. Gazetari nga Maqedonia, Reshat Ibrahimi, ka një mesazh të qartë për gazetarët maqedonas. “Një porosi për kolegët maqedonas. Dje si gazetar ndoqa derbin e javës së dyte mes Vardarit dhe Shkëndijes. Me vjen keq që si gazetar në vend se të shkruaj për bukurinë e derbit, me duhet të shkruaj për pjesën më të keqe të këtij takimi-fyerjet dhe ofendimet në baza etnike. Që nga minuta e 30-të e deri në fund të lojës tifozët maqedonas të ashtuquajtur ‘Komiti’ janë shfryrë duke brohoritur dhe ofenduar në baza kombëtare. Dhe, ky si duket ka qenë qëllimi i ardhjes së tyre në stadium, jo për të mbështetur skuadrën e tyre por thjeshtë vetëm për të poshtëruar shqiptarët. Çka është më tragjike këtyre huliganëve i bashkoheshin edhe pjesa tjetër e publikut, që duken më të civilizuar. Dhe, kur delegati kërkonte ndalimin e ofendimeve, ata ia kthenin me vërshëllima, që me fjalë të tjera i binte përse na e tërhiqni vërejtjen, kemi ardhur për t’u “kënaqë”! E nëpër portale maqedonase asnjë fjalë nga kolegët tanë për këto ofendime. Të gjithë në heshtje, thua se asgjë nuk ka ndodhur! Të nderuar kolegë të përkatësisë maqedonase përse po e fshehni këtë dukuri negative. Perse po bëheni të njëanshëm. Mos shkruani vetëm kur tifozët shqiptarë ju fyejnë juve në Shkup e Tetovë, sepse ju vetëm atëherë shihni dhe dëgjoni. Kur të ndodh e kundërta, mos kërkoni nga ne që ta bëjmë të njëjtën që ju duhet ta bëni. E pash se edhe Shkëndija paska reaguar dhe mirë ka bërë. Reagimit të Shkëndijes duhet t’i bashkohen edhe klubet si Renova, Shkupi e Vëllazërimi.  Le të jetë ky mesazhi i fundit për Federatën e futbollit se nëse vazhdohet me ofendime të tilla do të rishikohet statusi i tyre i mëtejmë. Është koha e fundit që edhe përfaqësuesit shqiptarë në FFM duhet ta ngrejnë zërin e tyre. Duhet njëherë e përgjithmonë t’i thuhet STOP kësaj pune. Me veprime të tilla nuk mund ta çojmë futbollin përpara”, shkruan Ibrahimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat