Të luash për Serbinë është tradhti, jo për Kosovën, Shqipërinë e Zvicrën

Futboll

Të luash për Serbinë është tradhti, jo për Kosovën, Shqipërinë e Zvicrën

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 17 gusht 2016 Në ora: 15:16
Pamje nga një ndeshje Kosovë-Shqipëri

Shqiptarët duhet të bëjnë “lum”, që kanë dy kombëtare futbolli; Kosovën dhe Shqipërinë. Kanë, po ashtu, edhe Zvicrën, pothuajse me 50 për qind të përbërjes shqiptare. Shoh ditëve të fundit që po nxehet atmosfera e disave me deklarata, qoftë në shtetin e Kosovës, qoftë në shtetin shqiptar, se ky është tradhtar, apo ai është tradhtar! Është më se e qartë se dikush nuk e ka lehtë ta përballojë kalimin e një lojtari në kombëtare tjetër, apo me origjinë nga vjen! Kjo është një zgjidhje e vetë lojtarit dhe kryesisht profesionale. Shqipëria është Kosovë dhe Kosova është Shqipëri, asgjë nuk dallojnë! Jemi një komb, një gjak, flasim një gjuhë dhe një ditë do të jemi të bashkuar në një shtet: Shqipëria Etnike! Duhet të mburremi që kemi një pasuri të pashtershme të futbollistëve shqiptarë. Këta nuk na i krijoi Serbia, por i krijoi shqiptaria. Kemi shumë futbollistë shqiptarë, sa mund t’i bëjmë edhe pesë kombëtare. Tri i kemi, por, në qoftë nevoja, bëjmë edhe më shumë dhe u tregojmë të gjithëve se sportin e kemi traditë! Milot Rashica bëri zgjedhjen e tij profesionale.

Djaloshi i talentuar nga Vushtrria nuk e tradhtoi Shqipërinë, por vendosi të luajë për Kosovën. Herolind Shala e Alban Meha vendosën për Kosovën, një zgjidhje e tyre profesionale. Taulant Xhaka thuhet se ka deklaruar se do të luajë për Shqipërinë, një zgjedhje profesionale e tij. Xhaka është një trim, që s’e ka shoqin, dhe këtë e ka treguar më 14 tetor 2014 në Beograd, kur i fundit e lëshoi fushën dhe ishte në gjendje të rrihej me mbi 32 mijë shovenistë serbë, që ishin në stadium, duke e mbrojtur flamurin kombëtar. Mos e harroni trimërinë e Xhakës për flamurin kombëtar. Nëse ai vendos të luajë për Shqipërinë, respektojeni të drejtën e tij. Xherdan Shaqirin, mos e harroni, se kur luante me Bayern Munih, në vitin 2013, fitoi Champions-in dhe e kapi flamurin e Kosovës e vrapoi rreth stadiumit “Wembey”. Pra, tregoi se nga cili shtet vjen. Serbia kërkonte dënimin e tij në UEFA, por nuk i ndezi! Kemi Valon Behramin, kemi Granit Xhakën, ky i fundit futbollisti më i shtrenjtë shqiptar. Këta djem, kudo që shkuan, treguan prejardhjen e tyre. Shaqiri, Xhaka, Behrami e Shani Tarashaj le të zgjedhën nga të duan. Nëse vijnë për Kosovën, ju lumtë, nëse luajnë për Zvicrën, ju lumtë! Mos harroni se Zvicrën e kemi mike dhe, kur më së vështiri i patëm punët, na i hapi dyert, ndaj sot kemi me qindra-mijëra shqiptarë në shtetin helvet. Shaqiri, Xhaka, Behrami, Tarashaj, Xhemaili e Mehmedi nuk kanë shkuar me të njohshëm, apo që ia patën hatrin, por e merituan të jenë pjesë e kombëtares së Zvicrës dhe na lartësuan shumë. Sepse, prej një periudhe të gjatë, Zvicra po shkruan vazhdimisht për djemtë e Kosovës.

Të kemi një Shqipëri e Kosovë të fortë, duhet të gjithë të mburremi. Kur fiton Shqipëria, feston Kosova, kur fiton Kosova, feston Shqipëria, jemi të një gjaku! S’ka fjalë “tradhtarë”, se të luash për Shqipërinë është krenari, të luash për Kosovën është krenari, të luash për Zvicrën është krenari. Çfarë të keqeje ka këtu? Kjo është tradhti? Shqipëria është e jona, Kosova është e jona, Zvicrën e kemi mike! Të kemi kujdes nga etiketimet, se ky është tradhtar, apo ai. Si në Kosovë, si në Shqipëri, të kemi të gjithë kujdes dhe mos t’i ngarkojmë apo fusim djemtë tanë në presion, se ata janë pasuri e jona dhe vlejnë me miliona e miliona. Fundi i muajit gusht vjen shpejt dhe gjithçka shihet. Kush luan për Kosovën, mirë se vjen, kush përfaqëson Shqipërinë, i lumtë, kush vendos të vazhdojë për Zvicrën, mirë se luan. Kjo është një zgjidhje e tyre profesionale.  Tradhti është të luash për Serbinë, jo për Kosovën, Shqipërinë e Zvicrën. Deri dje dolëm rrugëve e kremtuam kualifikimin e Shqipërisë në “Euro 2016”. Ishim pranë televizioneve, edhe në stadiumet e Francës, këndonim “o sa mirë me qenë kuqezi”.

Çfarë na duhet tani inati mes nesh, pse ai shkon në Shqipëri e ky në Kosovë. Tash jemi më të fuqishëm se kurrë, kemi dy kombëtare shqiptare dhe madje edhe një Zvicër të dominuar me shqiptarë. Apo ndiheni më mirë se kurrë, që besa po! Nuk kemi më në përbërje as Millosheviça, as Zdravkoviça, Zhivkoviça, Stojanoviça.., dhe nuk munden serbët të na komandojnë. Jemi kryesisht ne shqiptarët, që po udhëheqim sportin e shtetin, e tërë bota po na lavdëron për sjellje shembullore si sportistë. Serbinë e kemi armike, Rusinë e kemi armike, sllavët i kemi armiq dhe e shihni sa inat kanë tash, kur Majlinda Kelmendi është kampione olimpike në xhudo. Do të ishte keq që dikujt, kurrë në jetë si ka hëngër by… për kombin shqiptar, e sot shtiret si një patriot me bateri. Patriotizëm nuk është ta fyesh Shqipërinë, ta fyesh Kosovën, se jemi një komb e një gjak. Patriotizëm është të punosh për kombin tënd, për Shqipërinë e Kosovën, dhe t’i kemi dy kombëtare të forta. Jemi në pozicionin më të fortë: dy kombëtare në kualifikimet për Kampionatin Botëror. Lërini djemtë rehat të zgjedhin për kë të duan. Lëreni rehat edhe përzgjedhësin Albert Bunjaki, sepse ai e di më së miri se si e ka situatën. Mençuri është të ndërtosh dy kombëtare të fuqishme, e gërditshme është t’i thuash dikujt tradhtar, pse luan për Kosovë, ose për Shqipëri, sepse jemi një komb e një gjak.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat