Shqiptari ishte nisur për në Barcelonë por shkoi te Reali

Futboll

Shqiptari ishte nisur për në Barcelonë por shkoi te Reali

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 30 gusht 2016 Në ora: 13:27
Talenti shqiptar Alili me gazetarin

Është 16 vjeç, luan si mesfushor. Ka lindur më 3 korrik 2000, aktualisht pjesë e USV Pattigham/Pramet në Austri. Kaq kohë i kanë mjaftuar djaloshit shqiptar nga Kumanova në futboll, që të nënshkruajë kontratë me gjigandët e futbollit spanjoll dhe europian, Realin e Madridit. Ka ndryshuar rrugë, në fakt, sepse ishte nisur për në “Camp Nou”, ndërsa tashmë e ka “prerë biletën” drejt “Bernabeu”. Bëhet fjalë për Egzon Alili, mesfushorin-sulmues të talentuar shqiptar, me origjinë nga Nakushtaku, rrethina e Kumanovës, që jeton në Ried të Austrisë. 16-vjeçari nënshkroi dje kontratën si profesionist me klubin e madh botëror, Real Madridin, për 7 vite. Lajmin e bën të ditur ekskluzivisht kushëriri i tij, futbollisti i njohur, Burhan Aliji. “Është e vërtetë se Egzoni ka nënshkruar kontratë 7-vjeçare me Real Madridin. Ai dje është kthyer në Ried, qytetin austriak, ku jeton me familjen e tij, ndërsa të martën i bën gati valixhet për t’u kthyer në Madrid, pasi siç më ka njoftuar prindi i tij, të enjten, së bashku me blerjet tjera, do të prezantohet si lojtar i ri i Realit”, – tregon futbollisti Aliji, duke shtuar se gjatë qëndrimit në “Santiago Bernabeu”, Egzoni kishte pasur rastin të takojë edhe yjet madrilenë, si Ronaldo e të tjerë. Mësojmë se Alili është familjar i Naser Alijit, që luan me kombëtaren kuqezi. Ai luan me kombëtaren U-17 të Shqipërisë. Më herët, drejtuesit e Barcelonës i kishin dërguar ofertë zyrtare skuadrës SV Ried për mesfushorin me tipare ofensive. Madje, sipas mediave austriake, Barcelona i kishte siguruar shërbimet e talentit të madh shqiptar për 4 milion euro. Por, tashmë, Real Madridi është treguar më konkret dhe e ka bërë të vetin 16-vjeçarin. Pas tij ishin vënë edhe klube të tjera të mëdha, si Manchester United, Atletico  Madrid, Liverpool, Manchester City dhe PSG.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat