Serie A, Juve dhe Lazio “blindojnë” yjet

Futboll

Serie A, Juve dhe Lazio “blindojnë” yjet

Më: 3 shtator 2016 Në ora: 17:31
Paolo Dybala

Kohë rinovimesh në Itali ku Juventusi dhe Lazio synojnë të blindojnë dy nga yjet e skuadrave respektive. Janë kampionët në fuqi që nisin punën për të blinduar sulmuesin argjentinas, Paolo Dybala. Kanë mjaftuar diçka më shumë se 14 muaj që talenti amerikano-latin të bindë drejtuesit bardhezinj se është ai njeriu i duhur për sulmin dhe Juventusi ka gati një kontratë 5-vjeçare për ish lojtarin e Palermos. Sipas marrëveshjes së re, Dybala do të përfitojë 5 milionë Euro në sezon plus bonuset. Një lëvizje e zgjuar nga ana e Juventusit që synon ta mbajë të lidhur me një kontratë joshëse argjentinasin deri në vitin 2021. Sinjalet e Barcelonës gjatë merkatos së verës ishin shqetësuese për drejtuesit e Juventusit dhe në këtë mënyrë, Dybala e projekton të ardhmen në Torino ku u zhvendos vetëm një sezon më parë pas shpërthimit në Palermo. E njëjta situatë paraqitet edhe për argjentinasin e Lazios, Lucas Biglia, jo pak i ndjekur në merkato. Kapiteni i Lazios do të firmosë një kontratë të re mënjeherë pas pushimit të kombëtareve. Mesfushori që mori shiritin bardhekaltër vetëm disa muaj më parë, konsiderohet një pikë e palëvizshme për presidencën e klubit kryeqytetas, pavarësisht ofertave joshëse nga disa klube të Serie A. Kontrata e 30-vjeçarit do të shtyhet deri në vitin 2021 dhe termat financiarë do të ndryshohen dukshëm. Nga 1.5 milionë, Biglia do të arkëtojë rreth 3 milionë Euro në sezon, duke u bërë i pari lojtar i erës Lotito që arrin një kufi të tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat