Zidane optimist para sfidës me Sportingun

Futboll

Zidane optimist para sfidës me Sportingun

Më: 13 shtator 2016 Në ora: 16:32
Zinedine Zidane

Real Madridi është përgatitur maksimalisht dhe synon ta nis me fitore misionin për mbrojtjen e titullit të Champions League. Madrilenët para shikuesve të vet do të takohen me Sportingun nga Lisbona, në ndeshjen e parë të xhiros së parë të grupit F në Champions. Reali është në grup me Legia-n, Dortmundin dhe Sportingun. Ndeshja në mes Realit dhe Sportingut luhet nesër në orën 20.45. Trajneri i Realit, Zinedine Zidane,  tha se kanë një mungesë në këtë sfidë. “Ne jemi të lumtur për ta filluar përsëri këtë kompeticion. E dimë rëndësinë e tij dhe lojtarët, ne të gjithë, jemi gati. Na mungon vetëm Coentrao, të tjerët janë të gatshëm për të luajtur. Konkurrenca në Champions? Gjithmonë do të ketë shumë ekipe, që duan ta fitojnë Champions League, por lajmi i mirë është se ne jemi të përgatitur për ta luajtur si duhet atë. Ne kemi një ekip që luan futboll të mirë dhe do të luftojmë për ta mbrojtur titullin. Situata e Cristiano Ronaldos, a do të luajë ai? Patjetër që po, ai është i gatshëm. Vetë lojtari dëshiron të luajë dhe kjo është një gjë e mire. Gjithsesi, ne do të shohim me kalimin e kohës. Ideja është për të luajtur 90 minuta, pastaj do të shohim gjatë lojës së çfarë mund të ndodhë. Formacioni? Të gjithë lojtarët që janë këtu e dinë se qëllimi madhor është si gjithmonë, për të fituar ndeshjen. Ata që janë më në formë do të jenë në formacion, por të gjithë janë të vlefshëm njësoj, edhe ata që e nisin nga banka. Champions League është një objektiv, ndaj duam ta fitojmë, pavarësisht se nuk do të jetë e lehtë. Të gjitha ndeshjet do të jenë të komplikuara”, ka thënë Zidane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat