Shkodra: Pasi më vdiq nëna, kisha nevojë për ndryshim ambienti

Futboll

Shkodra: Pasi më vdiq nëna, kisha nevojë për ndryshim ambienti

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 14 shtator 2016 Në ora: 11:25
Donjet Shkodra në aksion gjatë një ndeshje

 

Është një numër i madh i futbollistëve nga Kosova, që luajnë me sukses në Kampionatin Shqiptar. Mesfushori me prejardhje nga Gjilani, Donjet Shkodra, një periudhë u paraqit në klubet e ndryshme belge, së fundi në Deinze, tani po tregon formë të jashtëzakonshme në klubin me renome, Flamurtarin e Vlorës. Veçori e mesfushorit janë tri gola të shënuara në dy takimet e para, në fakt ka lënë pa tekst edhe njohësit e këtij sporti në Shqipëri.  Shkodra po shquhet i papërmbajtshëm nga distanca, që vështirë të ndalen goditjet e tija. Ai shënoi dy gola spektakolar në fitoren e skuadrës së tij me rezultat bindës 5:0 kundër Luftëtarit. Shkodra së bashku me sulmuesin e mirënjohur Hamdi Salihin, me nga tri gola udhëheqin listën e shënuesve në Kampionatin Shqiptar. 27-vjeçari, golin e parë e shënoi në hapje të edicionit, kur pësuan në Korçë me rezultat 2:1 nga kampioni shqiptar, Skënderbeu. Futbollisti në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot” tregon se sa ka mundur të adaptohet në Flamurtar dhe a është më vështirë të luhet në Belgjikë apo në Shqipëri.

“Bota sot”: Donjet, në dy ndeshjet e para, realizuat tri gola, që të tria nga distanca, specialitet i juaj?

Donjet Shkodra: E di që gjuajtjet i kam armën më të fortë, ashtu edhe me thonë.

“Bota sot”: Dy ndeshje, një fitore e një humbje, si e parashikon Flamurtarin në vazhdim?

Donjet Shkodra: Kemi një grup shumë të mirë dhe një staf trajnerësh që punojnë 100 për qind profesionalisht. Mendoj se kemi aftësi për të mposhtur çdo ekip në Superligë.

“Bota sot”: Një kohë në kampionatin belg, SK Deinze, sa keni mundur të adaptoheni në Vlorë?

Donjet Shkodra: S’e kam pritur që kaq shpejt mundem mu adaptuar, por me pritën shumë mirë dhe grupi e stafi kanë treguar shumë respekt ndaj meje.

“Bota sot”: Çfarë iu shtyri ta lini Belgjikën dhe të luani në Flamurtar?

Donjet Shkodra: Më vdiq nëna para një viti dhe kisha nevojë për ndryshim ambienti. Kështu që kur fola me Flamurtarin më bindën.

“Bota sot”: A mendoni se më lehtë është të luash në Shqipëri apo në Belgjikë?

Donjet Shkodra: Më duket me lehtë në Shqipëri, sepse kam shumë hapësirë në mesfushë dhe jam shumë i përgatitur, kjo është meritë e trajnerit Magani, që më jep shumë vetëbesim.

“Bota sot”: Me prejardhje jeni nga qyteti i Gjilanit, sa keni mundësi ta përcillni futbollin e Kosovës?

Donjet Shkodra: Jo aq shumë, sepse sa isha në Belgjikë nuk kam pas shumë kohë. Por Gjilanin e kam përcjell, sepse babai im (Qemaili) ka qenë trajner i Gjilanit 95’ para luftës.

“Bota sot”: Çfarë synoni me Flamurtarin?

Donjet Shkodra: Një sezon të mirë. Çdo ndeshje të jem 100 për qind në formë dhe si grup, dhe të ndihemi mirë në fushl. Dhe shpresoj që të tjerat të vijnë vet.

“Bota sot”: A ka forcë Flamurtari për titull?

Donjet Shkodra: Ma merr mendja që po. Kemi cilësi të mjaftueshme si grup. Si do të shkoj gjatë sezonit nuk e di.

“Bota sot”: Po dëshmoni lojëra jashtëzakonisht të mira, megjithatë, a shpresoni për një ftesë në kombëtaren e Kosovës?

Donjet Shkodra:  Mendoj se çdo futbollist shpreson dhe ëndërron për këtë moment që të luaj për shtetin e vet, por nuk e kam mendjen aty. Sepse ka shumë konkurrencë dhe e shikoj gjendjen ku jam momentalisht, kështu që mundohem të mbaj formën tek Flamurtari dhe shikojmë ditë pas dite.

“Bota sot”: Futbollisti Astrit Fazliu nga Kosova është në Flamurtar, cilat janë raportet me të dhe sa iu ka ndihmuar?

Donjet Shkodra: Njihem mirë me Astritin edhe para se të vija në Flamurtar. E kam shumë shok të mirë. Me ka ndihmuar shumë që të adaptohem në Shqipëri.

“Bota sot”: Me 17 shtator në Shkodër ndesheni me Vllazninë, çfarë prisni?

Donjet Shkodra: Pritet lojë e vështirë, megjithatë shkojmë për të bërë maksimumin dhe t’i marrim tri pikë në Vlorë.

“Bota sot”: Me cilën këmbë gjuani më fortë, me të majtën apo të djathtën?

Donjet Shkodra: Me të djathtën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat