Avdijaj, edhe një problem me policinë

Futboll

Avdijaj, edhe një problem me policinë

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 15:18
Donis Avdijaj

Donis Avdijaj ka përfunduar nën hetim nga Prokuroria e Osnabrukut pasi dosja e tij është bërë voluminoze.

Donis Avdijaj është një nga talentët më premtues të fiutbollit në Europë dhe nuk është rastësi që Shalke e ka blinduar me një klauzolë largimi prej 49 milionë eurosh në kontratë.

Por aq bujë sa ka bërë kjo klauzolë e futbollistit që pret ftesën nga kombëtarja shqiptare në mediat ndërkombëtare, aq është edhe buja për bëmat e tij në jetën jashtë fushës së lojës, sidomos problemet që shkakton herë pas here falë dashurisë që ka për makinat dhe shpejtësinë.

Këtë radhë, futbollisti ka përfunduar nën hetim nga Prokuroria e Osnabrukut pasi dosja e tij është bërë voluminoze.

Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, lista e shkeljeve të Avdijajt është bërë aq e gjatë sa tashmë ai nuk mund t’i shmanget më masave ndëshkimore. Sipas policisë, Avdijaj ka kaluar me semafor të kuq me automjetin e tij tip  Mercedes GLE 350D duke rrezikuar jetën e një kalimtari, përcjell “Panorama Sport”.

Sikur të mos mjaftonte kjo, futbollisti më pas ka shkaktuar kaos në një parking, ku ka goditur dy makina të tjera dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Gjithsesi, ai ka njoftuar klubin të nesërmen e ngjarjeve, ndërsa Shalke i ka vënë një gjobë të kripur dhe e ka paralajmëruar për masa të tjera më të rënda ndëshkimore pas këtij incidenti të ndodhur më datë 3 tetor.

Këto incidente kanë qenë pasojë e pakujdesisë dhe nuk dyshohet për përdorim alkooli nga ana e 20 vjeçarit. “Donisi ndjen keqardhje për gabimet që ka bërë. Por ne si punëdhënës nuk mund të tolerojmë sjellje të tilla”, ishte qëndrimi zyrtar i Shalkes.

Tashmë pritet të mësohet data se kur Avdijaj do të paraqitet para gjyqit pas kësaj çështje që ka hapur policia e Osnabrukut. Pas Shalkes, për lojtarin parashikohet edhe një gjobë e majme edhe nga shteti gjerman.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat