Benfica-Napoli, sikurse finale

Futboll

Benfica-Napoli, sikurse finale

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 6 dhjetor 2016 Në ora: 10:55
Pamje nga një ndeshje

Ballafaqimi i sotëm në mes Benfica-s dhe Napolit, është sikurse finale, sfidë e xhiros së gjashtë (e fundit) të grupit B në Champions League në futboll. Benfica, është para një situate shumë të vështirë, sepse me çdo kusht i duhet fitorja, sepse në rast të barazimit me Napolin dhe nëse fiton Besiktas-i ndaj Dinamos në Kiev, atëherë Benfica i mbledh valixhet për në Europa League. Sepse Benfica takimin e parë e ka humb nga Napoli me rezultat 4:2 dhe barazimi nuk i konvenon nëse Besiktas-i fiton tri pikë në Kiev. Napolit i konvenon barazimi dhe shkon më tutje pavarësisht se çfarë do të bëjë Besiktas-i nga Stamboll. Napoli prin me 8 pikë,  ndërsa Benfica është në pozitën e dytë me 8 pikë, pasojnë: Besiktas-i 7 e Dinamo Kievit me 2 pikë.  Në grupin A situata është e paqartë se cila ekip do të vazhdojë për në Europa League. Baseli kërkon fitore ndaj Arsenalit dhe me shpresë se do të dështojë ekipi bullgar, Ludogorets në përballje me PSG-në. Baseli-Arsenali, është edhe derbi shqiptar dhe i vëllezërve Xhaka, sepse Taulanti luan për Baselin dhe Graniti për Arsenalin.

Në Arsenal është edhe mbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi dhe faktikisht pritet lojë me plotë kuptimin e fjalës e hapur dhe atraktive për tifozët. PSG-ja në shtëpi takohet me Ludogorets-in dhe presin tri pikë. Baseli aspak nuk i konvenon që të përfundojnë me pikë të njëjta me ekipin e Ludogorets-it, sepse skuadra bullgare e ka më të mirë rezultatin e ndërsjellë, pasi që në Basel ka luajtur baras 1:1 dhe në Sofje 0:0, kështu që shkaku i një goli si mysafirë ka bilancin më të mirë. PSG udhëheq tabelën me 11 pikë, sa ka edhe Arsenali në vend të dytë, ndërsa Ludogorets është në pozitën e tretë me 2 pikë, sa ka edhe Baseli në fund të renditjes. Në grupin D, ballafaqimi më interesant do të jetë në mes ekipit holandez, PSV dhe atij rus, Rostov. Të dyja ekipet luftojnë për vend të tretë që shpie në garat e Europa League. Rostovit i konvenon barazimi, sepse e ruan vendin e tretë, ndërsa PSV me fitore vazhdon tutje, ngase në Rostov kishte barazuar me rezultat 0:0. Rostov është në vend të tretë me 4 pikë, tri me tepër se PSV. Ballafaqimi tjetër që nuk ka asnjë peshë do të luhet në mes Bayern Munihut dhe Atletico Madridit. Bayerni është në vend të dytë me 9 pikë, gjashtë me pak se Atletico.

Në grupin C, gjithçka është e qartë se cilat nga skuadrat janë në dy vendet e para dhe cila do të vazhdojë rrugën për në Europa League. Barcelona dhe Manchester City kanë siguruar kalimin në të tetën e finales, dhe takimet e xhiros së fundit të grupeve më shumë i presin sa për të kryer një formalitet, ndërsa Monchengladbach e ka të sigurt vendin e tretë dhe që e dërgon në Europe League. Sfida në mes Barcelonës dhe  Monchengladbach pritet të jetë e hapur dhe me shumë gola, duke pasur për bazë se si njëra palë po ashtu edhe skuadra tjetër do të luajnë pa ngarkesë. Barcelona futet për fitore, kurse skuadra gjermane për të befasuar për të mirë. Ndërkaq, Manchester City para shikuesve të vet do të takohet me Celtic-un  nga Skocia. Mysafirët kanë humbur të gjitha shpresat edhe për vend të tretë, pasi që janë në vend të fundit me dy pikë, por do të luajnë me shumë për të nxjerr një rezultat të mirë për t’i përmirësuar statistikat, kurse Manchester City beson në fitore. Barcelona kryeson me 12 pikë, duke lënë pas Manchester Cityn me 8 sosh, Monchengladbach 5 e Celtic-u me 2 pikë.  

Grupi A

Basel–Arsenal       20.45

PSG–Ludogorets  20:45

Grupi B

Benfica – Napoli   20:45

Dyn. Kiev – Besiktas    20:45

Grupi C

Barcelona-Monchengladbach   20:45

Manchester City – Celtic     20:45

Grupi D

Bayern - Atl. Madrid    20:45

PSV-Rostov   20:45

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat